Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) ka njoftuar sot se i ka dërguar letra zyrtare Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë Themelore Publike lidhur me rastin e gazetarit nga Tetova, Nevrij Ademi.
Sipas dëshmisë së gazetarit, më 19.08.2025 ai u thirr me telefon për të dhënë deklaratë në Stacionin Policor të Tetovës. Gjatë bisedës dyorëshe, një oficer policie ka marrë telefonatë nga një prokuror, i cili dyshohet se ka lëshuar urdhër verbal për sekuestrimin e telefonave të tij – mjete bazë të punës gazetareske. Me ndërhyrjen e avokatit dhe për shkak të mungesës së bazës ligjore, telefonat nuk u sekuestruan, ndërsa Ademi u largua nga stacioni policor.
SHGM thekson se një sjellje e tillë paraqet presion të mundshëm ndaj gazetarit dhe rrezik për lirinë e medias. Organizata kërkon nga institucionet:
sqarim nëse ka ekzistuar urdhër gojor për sekuestrim;
të bëhet e ditur nëse thirrja është bërë zyrtarisht apo vetëm gojarisht;
përcaktim nëse procedura ka shkelur ligjin dhe standardet profesionale;
marrje përgjegjësie dhe garanci se raste të tilla nuk do të përsëriten.
“SHGM do të vazhdojë ta ndjekë nga afër rastin dhe do të këmbëngulë në mbrojtjen e plotë të të drejtave të gazetarëve dhe krijimin e një mjedisi të sigurt për punën e tyre,” thuhet në reagimin e shoqatës.TS