Hyrja e bankës serbe Alta në tregun maqedonas këto ditë ka trazuar opinionin publik. Gjatë ditës së djeshme, reagimi i kandidatit për kryetar të komunës së Çairit, Bujar Osmani, hapi pyetje më të thella. Pyetja është: çfarë do të thotë kur një bankë e huaj, veçanërisht nga një shtet rajonalisht më i fuqishëm, nis të integrohet në sistemin financiar të një shteti më të vogël? A është kjo vetëm një aktivitet ekonomik, apo fillimi i diçkaje më të gjerë?
“Futja e Alta Bankës nuk është rastësi. Ajo është ndërhyrje e drejtpërdrejtë dhe marrje nën kontroll e mekanizmave kyç për ndikim mbi politikën”, tha Osmani, duke aluduar në narrativin më të gjerë për, siç e quan ai, “botën serbe”.
Deklarata të tilla e kornizojnë hyrjen e Alta Bankës jo si një zgjerim të zakonshëm bankar, por si pjesë e një pozicionimi strategjik të Serbisë dhe rritje të ndikimit mbi politikat e Maqedonisë së Veriut. Osmani thotë se VLEN kishte premtuar se do të sillte një bankë shqiptare, por në vend të saj, kemi një bankë serbe.
“Kjo do të thotë se bota serbe ka hyrë në sistemet strategjike të shtetit, për të vendosur ndikim mbi partitë në pushtet”, thotë Osmani. “Ato banka do të financojnë kompani dhe biznese serbe, dhe në atë mënyrë, drejtpërdrejt e tërthorazi, përmes kapitalit do të kenë ndikim të rrezikshëm mbi politikën maqedonase.”
Bankat si aktorë politikë
Në botën moderne, sektori bankar prej kohësh nuk është vetëm shtyllë ekonomike. Bankat janë aktorë të cilët, përmes kreditimit, mbështetjes së infrastrukturës, mediave, kompanive ndërtimore dhe kontrollit të kapitalit, ushtrojnë ndikim të fortë mbi politikanët.
Një bankë që vjen nga një shtet me ambicie gjeopolitike rajonale mund, me vetëdije ose pa vetëdije, të shndërrohet në mjet për ato ambicie. Çështje të tilla janë veçanërisht të ndjeshme në vende me paqëndrueshmëri të lartë politike, institucione të dobëta dhe interesa të ndërthurura etnike e gjeopolitike.
Në një kontekst të tillë, Alta Banka ndoshta nuk është vetëm një lojtar i ri në tregun bankar. Ajo mund të bëhet një valvul financiare për kapital me orientim politik. Pyetja është se si dhe kë do të kreditojë, çfarë do të mbështesë dhe a do të përputhet kjo me interesat strategjike të Serbisë në rajon.
Çmimi politik i varësisë ekonomike
Osmani e sheh këtë proces si një largim sistematik të Maqedonisë së Veriut nga vlerat evropiane dhe afrimin drejt modelit që ai e quan “bota serbe”. “Përveç izolimit nga Bashkimi Evropian, tani po lëvizim drejt botës serbe, dhe për këtë situatë VLEN do të mbajë përgjegjësi historike”, theksoi ai.
Sipas tij, partneri shqiptar në koalicion, VLEN, ose është i margjinalizuar në qeveri, ose është bërë pjesë aktive e procesit të ndryshimit të orientimit strategjik të vendit.
Megjithëse një retorikë e tillë mund të duket alarmante, çështja e ndikimit përmes kapitalit nuk është e re. Ekonomitë e vendeve të vogla, sidomos ato me tregje të hapura dhe kapital të kufizuar vendas, shpesh janë të cenueshme nga ndikime të tilla.