12 inspektorë do të kontrollojnë përdorimin e gjuhës maqedonase në institucionet shtetërore, mediat dhe organizatat ndërkombëtare

Në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhës Standarde Maqedonase do të punësohen 12 inspektorë, thotë ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov.
Pas një viti të plotë nga miratimi i Ligjit për përdorimin e gjuhës maqedonase, në prill Qeveria e emëroi Mençe Andreevën si drejtoreshë të Inspektoratit.
Ky ligj, ndër të tjera, parasheh lekturimin e detyrueshëm të të gjitha materialeve, me publikimin e emrit të lektorit, si dhe punësimin e detyrueshëm të lektorëve në organet e pushtetit ligjvënës, gjyqësor dhe ekzekutiv, në të gjitha institucionet dhe organet publike, në media dhe në konsullata, duke përfshirë edhe personat juridikë dhe organizatat ndërkombëtare.
“Procedurat administrative që kanë të bëjnë me Inspektoratin për përdorimin e gjuhës standarde maqedonase janë përfunduar. Sipas ndryshimit të bërë në Planin e sistematizimit, Inspektorati parasheh më shumë vende pune. Numri fillestar i punësimeve do të varet nga ndryshimi i Planit të punësimeve të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, i cili duhet të miratohet nga Ministria e Financave”, tha Andreeva.
Ljutkov, në një brifing me gazetarët më 30 korrik, tha se pas harmonizimit të akteve për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, Inspektorati ka nisur me punë si organ në përbërje të Ministrisë, përmes miratimit të Rregullores për ndryshime dhe plotësime të Rregullores për sistematizimin e vendeve të punës nga Ministria e Administratës Publike.
“Është përgatitur edhe Rregullorja për ndryshime dhe plotësime të Rregullores për organizimin e brendshëm dhe punën e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe është dërguar në Ministrinë e Financave, ku janë planifikuar vendet e punës kyçe për fillimin e punës së Inspektoratit për përdorimin e gjuhës standarde maqedonase. Sapo të jepet pëlqimi, menjëherë do të fillohet me punësimin e inspektorëve. Plani është që së shpejti të shpallet konkurs për 12 punësime”, tha Ljutkov.
Inspektorati për përdorimin e gjuhës standarde maqedonase do të kryejë mbikëqyrje mbi zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhës maqedonase dhe të akteve të miratuara mbi bazën e këtij ligji. Kuvendi e miratoi ligjin më 26 janar 2024, një vit pas debatit të parë publik. Projektligji u përgatit nga përbërja e atëhershme e Këshillit për Gjuhën Maqedonase dhe Ministria e Kulturës, kur ministre ishte Bisera Kostadinovska-Stojçevska.