Bujar Osmani: Skandaloze përjashtimi i diasporës nga vendimmarrja, ata e mbajnë ekonominë dhe familjet tona

„Diaspora jonë nuk është diasporë e ndarë. Ata janë këtu me ne – kanë shtëpi, anëtarë familjarë, paguajnë taksa, jetojnë gjysmën e vitit këtu. E tani, pasi u regjistruan dhe doli që numri i shqiptarëve është më i lartë se i të tjerëve, merret vendim për përjashtimin e diasporës“, tha Bujar Osmani, duke reaguar ndaj vendimit të KSHZ-së për uljen e numrit të këshilltarëve në komunat.
Sipas tij, ky vendim është pjesë e një strategjie më të gjerë për kthimin e sistemit të shumicës etnike dhe rrënimin e parimeve të Marrëveshjes së Ohrit.
„Kjo është skandaloze. Asnjëherë më parë rregullat zgjedhore nuk janë vendosur me mbivotim. Kjo është precedent. Ka pasur përpjekje që kjo të bëhet përmes Kodit Zgjedhor, që u ndalua me Badenterin, por tani po bëhet përmes KSHZ-së. Ky është fillimi i asaj për të cilën kemi paralajmëruar – kthimi në kohën e margjinalizimit dhe përjashtimit“, deklaroi Osmani.
Ai kujtoi se tashmë është hedhur edhe hapi i parë me uljen e përqindjes për shpërndarjen e mjeteve për komuna dhe shkolla nga 29% në 24.5%, me arsyetimin se diaspora nuk duhet të merret parasysh. Tani, sipas tij, po vjen edhe ulja e numrit të këshilltarëve pikërisht në komunat me shumicë shqiptare.
„Nuk është vetëm ulja problemi. Problemi është vendosja e praktikës së majorizimit dhe përjashtimit. Kjo është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj bashkëjetesës, ndaj parimit të konsensusit dhe barazisë. Arsyeja pse u pranua Marrëveshja e Ohrit ishte pikërisht ideja që të mos ketë më mbivotim etnik“, tha Osmani.
Ai bëri thirrje që këto hapa të mos normalizohen, sepse çojnë prapa në një kohë që Maqedonia e Veriut e ka tejkaluar prej kohësh.