Policia me “mjet” të ri për kapjen e shoferëve të droguar: Do t’i testojë për 10 minuta përmes një testi me pështymë

Ministria e Punëve të Brendshme së shpejti do ta forcojë kontrollin e pjesëmarrësve në trafik me blerjen e një gjenerate të re të testeve të shpejta për drogë përmes pështymës, raporton portali 4NEWS.mk.
Sipas portalit, bëhet fjalë për teste të shpejta imuno-kromatografike, të destinuara posaçërisht për përdorim nga zyrtarë të autorizuar pa nevojë për njohuri mjekësore. Testet janë të thjeshta për përdorim dhe mundësojnë marrjen e mostrës për më pak se një minutë, me metodë jo-invazive – përmes një tamponi oral ose aplikatori. Rezultatet janë të dukshme brenda maksimum 10 minutash, pa përdorim të pajisjeve elektronike shtesë.
Sipas specifikimeve teknike, testet e reja do të mundësojnë detektimin e gjashtë llojeve të substancave psikoaktive: tetrahidrokannabinoid (THC), kokainë, amfetaminë dhe metamfetaminë, opiatë si morfina dhe heroina, ekstazi (MDMA) dhe benzodiazepina.
Këto teste janë prodhuar në përputhje me standardet evropiane, kanë certifikim CE për diagnostikë in vitro dhe certifikatë ISO 13485 për cilësinë e pajisjeve mjekësore. Gjithashtu, është konfirmuar përdorimi i tyre në polici dhe institucione të tjera ligjzbatuese.
Ministria kërkon që testet të kenë një afat përdorimi prej të paktën 12 muajsh, të jenë të paketuar individualisht dhe të shënuara qartë me datën e skadencës, serinë dhe prodhuesin. Furnizuesi, nëse është e nevojshme, do të sigurojë edhe trajnime falas për zyrtarët policorë për përdorimin e duhur dhe interpretimin e rezultateve.
Dorëzimi i testeve pritet brenda 30 ditëve pas nënshkrimit të kontratës, dhe dokumentacioni dhe udhëzimet do të jenë të disponueshme edhe në gjuhën maqedonase.
Me këtë blerje, MPB do të ketë në dispozicion mjete moderne dhe të sigurta për kontrollin e drejtuesve të automjeteve, duke kontribuar ndjeshëm në rritjen e sigurisë rrugore.