Një incident i rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Batincë të Shkupit. Rreth orës 03:58, autoritetet janë njoftuar për një zjarr që ka përfshirë fillimisht një veturë të tipit BMW me targa të Shkupit, ndërsa më pas flakët janë shpërndarë dhe kanë përfshirë edhe katin e sipërm të një shtëpie ngjitur me të.

Sipas të dhënave fillestare, zjarri ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale si në automjet, ashtu edhe në shtepinë ku jetonte familja. Ekipet e zjarrfikësve kanë arritur në vendngjarje dhe kanë ndërhyrë për ta lokalizuar zjarrin, duke parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve në pjesë të tjera të objektit dhe në hapësirat përreth.

Ndërkohë, për shkak të thithjes së tymit, katër anëtarë të familjes së prekur kanë pasur nevojë për ndihmë mjekësore urgjente. Bëhet fjalë per burrë e grua dhe dy fëmijë. Ata janë transportuar me autoambulancë nga Shërbimi i Urgjencës Mjekësore në Klinikën e Toksikologjisë pranë Qendrës Klinike “Nënë Tereza” në Shkup, ku u është ofruar trajtim adekuat. Gjendja e tyre shëndetësore, sipas informacioneve jozyrtare, është jashtë rrezikut për jetën.

Për momentin nuk dihen shkaqet e zjarrit, ndërsa autoritetet kompetente kanë nisur hetimet për të zbuluar nëse bëhet fjalë për aksident apo për ndonjë veprim të qëllimshëm.

Banorët e zonës shprehën shqetësim për ngjarjen, duke theksuar se zjarri ka shkaktuar panik në orët e para të mëngjesit. Sipas tyre, falë ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve, është shmangur një tragjedi më e madhe.

Hetimet pritet të japin përgjigje mbi arsyet dhe rrethanat që çuan në këtë incident./Alsat.mk