Kuvendi i Maqedonisë së Veriut hyn në fazën përfundimtare para zgjedhjeve lokale pa arritur të miratojë disa nga ligjet më të rëndësishme për procesin zgjedhor dhe funksionimin e pushtetit lokal. Shkaku kryesor është mungesa e shumicës së Badenterit, e cila kërkon mbështetje nga deputetët e komuniteteve jo-shumicë, mbështetje që pushteti nuk e ka siguruar, përcjell PressOnline.al

Kështu, ndryshimet në Kodin Zgjedhor, në Ligjin për vetëqeverisje lokale, por edhe zgjedhja e Avokatit të Popullit, mbeten të bllokuara. Kjo situatë ka pasoja të drejtpërdrejta në zgjedhjet që vijnë më 29 shtator.

Kandidatët e pavarur vetëm me dy nënshkrime

Sipas rregullave aktuale, kandidatët e pavarur do të mund të marrin pjesë në zgjedhje duke mbledhur vetëm dy nënshkrime, një procedurë që ishte planifikuar të ndryshojë përmes Kodit Zgjedhor, por që nuk arriti të kalojë në Kuvend. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, konfirmoi se në dy seancat e fundit para fushatës, më 2 dhe 12 shtator, këto ndryshime nuk janë në rend dite.

“Fatkeqësisht, kështu do të shkojmë në zgjedhje – me udhëzimin e KSHZ-së që kandidatët e pavarur të sigurojnë dy nënshkrime për kandidaturë. Kishte përpjekje të bëhej kompromis, por shumica nuk siguroi mbështetje nga BDI”, deklaroi Gashi.

Kryetarët e rinj nuk mund të shkarkohen me referendum

Po ashtu, për mungesë të votave të Badenterit nuk kaluan as ndryshimet e Ligjit për vetëqeverisje lokale. Si pasojë, kryetarët e rinj të komunave do të kenë mandat të garantuar katërvjeçar, pa mundësi që qytetarët t’i shkarkojnë me referendum, pavarësisht pakënaqësisë eventuale me punën e tyre. Ndryshimet, nëse do të miratohen më vonë, do të hyjnë në fuqi vetëm në zgjedhjet lokale të vitit 2029.

Kjo bllokadë ligjore mund të ketë ndikim edhe në funksionimin e qyteteve, pasi ligji i ri parashikonte mundësinë për themelimin e postit të arkitektit të qytetit dhe të policisë komunale.

Avokati i Popullit, ende peng i politikës

Një problem i madh mbetet edhe zgjedhja e Avokatit të Popullit, funksion kyç për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe për procesin zgjedhor. Deri tani, nuk ka pasur marrëveshje mes partive, ndërsa BDI refuzon të japë votat e Badenterit për kandidatin e propozuar, duke e konsideruar atë si emër partiak.

Gashi thekson se është i nevojshëm një kompromis, qoftë për emrin aktual apo për një kandidat tjetër, por për këtë sërish duhen votat e komuniteteve joshumicë.

“Si shtet, nuk duhet të lejojmë të hyjmë në zgjedhje pa Avokat të Popullit. Duhet të ulemi dhe të gjejmë një zgjidhje sa më shpejt”, u shpreh ai.

Rikonstruimi i Qeverisë nuk pritet të ndryshojë situatën

Në këtë atmosferë, edhe e paralajmëruara rikonstruimi i Qeverisë nga kryeministri Hristijan Mickoski pas zgjedhjeve lokale në nëntor nuk pritet të sjellë ndryshime thelbësore në Kuvend, përderisa mbetet e njëjta aritmetikë parlamentare.

Në fund, Gashi hodhi poshtë zërat për një “skenar të fshehtë” të opozitës për prishjen e zgjedhjeve, por theksoi se nënshkrimi i deklaratës për zgjedhje të lira dhe demokratike nga të gjithë deputetët do të ishte garanci shtesë për qytetarët.

“Problemi ynë është se çdo zgjedhje i shohim si fatale, si të ishin të fundit. Duhet të dëshmojmë se jemi të gatshëm për zgjedhje të qeta dhe të drejta”, përfundoi Kryeparlamentari.

(PressOnline.al)