Kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi ka uruar Dimal Bashën për zgjedhjen në postin e shefit të parlamentit të Kosovës.
Ai në një postim në Facebook shkruan se marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe institucioneve të të dyja shteteve janë të mbështetura në themele të forta miqësie, vëllazërie dhe bashkëpunimi të ndërsjellë, transmeton Klankosova.tv
“Në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal, kam kënaqësinë të përcjell urimet më të përzemërta z. Dimal Bashës për zgjedhjen si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës”.
“Marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe institucioneve tona, janë të mbështetura në themele të forta miqësie, vëllazërie dhe bashkëpunimi të ndërsjellë. Këto lidhje, që burojnë nga populli, afërsia dhe vlerat tona të përbashkëta, paraqesin një pasuri të përbashkët për qytetarët e të dy vendeve tona”.
“Jam i bindur se në udhëheqjen tuaj do të vazhdojmë t’i thellojmë më tej këto marrëdhënie përmes dialogut të hapur parlamentar, bashkëpunimit rajonal dhe mbështetjes së përbashkët në proceset euroatlantike”.
“Ju uroj suksese të shumta në detyrën fisnike dhe shpreh gatishmërinë time të plotë për bashkëpunim të afërt dhe konstruktiv”, shkruan Gashi, transmeton Klankosova.tv.