Komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, ka pritur në selinë e KFOR-it në Prishtinë të dërguarin special të Francës për Ballkanin Perëndimor, Rene Troccaz, i cili ishte i shoqëruar nga ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot.

Sipas njoftimit të KFOR-it, gjeneral Barduani ka ritheksuar angazhimin e vazhdueshëm të këtij misioni për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë. Në takim, palët kanë shkëmbyer mendime për zhvillimet aktuale në rajon.

Gjeneral Barduani ka falënderuar Troccaz për kontributin e Francës në KFOR, si dhe për mbështetjen e dhënë për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Ndërkohë, Troccaz ka shkruar në platformën X se takimi me gjeneral Barduani ishte “shumë i dobishëm”.

“KFOR-i është një strukturë kyçe në stabilitetin e Kosovës. Franca e mbështet atë”, ka theksuar ai.