Një ditë pas aksidentit të rëndë në aksin Sarandë–Delvinë, ku humbën jetën motrat, Rozina dhe Ela Dhimaku dhe ngeli e plagosur rëndë Antonela Zhupa Gjykata e Sarandës caktoi masën e sigurisë për drejtuesin e mjetit, 23 vjeçarin Kevin Norra.

Në seancën e zhvilluar paraditen e së hënës, prokurorja e çështjes, Besjana Sadikaj, kërkoi masën e arrestit me burg, të cilën gjykata e pranoi.

Policia e Sarandës vuri në pranga drejtuesin e makinës Kevin Norra, parakalimi i të cilit i mori jetën dy motrave mbrëmjen e 24 gushtit. Sipas hetimeve të policisë, 23-vjeçari ishte i dehur.
Dy motrat Elvisa dhe Rozina Dhimaku, 22 dhe 20 vjeçe, po udhëtonin nga Delvina në drejtim të Sarandës kur 23-vjeçari Kevin Norra u doli përballë në korsinë e tyre dhe u përplasën ‘kokë më kokë’. Aksidenti rezultoi fatal për dy motrat, të cilat humbën jetën si pasojë e plagëve të marra, ndërsa pasagjerja 24-vjeçare Antonela Zhupa po merr mjekim në spitalin e Traumës në Tiranë.
I riu Kevin Nora, specialist në sektorin e logjistikës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë me një mjet tip Audi, po udhëtonte nga Saranda në drejtim të Gjirokastrës kur u përplas me makinën ku udhëtonin tre vajzat.

Sipas informacioneve nga grupi hetimor, Kevin Nora ka tentuar të parakalojë me shpejtësi një mjet, duke kaluar në korsinë ku po kalonin tre të rejat. Në atë moment, për shkak të parakalimit të gabuar, dy mjetet janë përplasur kokë më kokë dhe vajzat humbën jetën. Përplasja ka qenë shumë e fortë saqë makinat janë shkatërruar plotësisht dhe njëra prej tyre është përmbysur në mes të rrugës. Aksidenti i preu ëndrrat në mes 20-vjeçares, Rozina, e cila studionte për Mjekësi./abcnews.al