Një emër i njohur për dashamirësit e futbollit lokal, Gajur Iljazi, ish-mbrojtësi i majtë i gjeneratës së artë të KF Vëllazërimit, ka marrë drejtimin e klubit nga Sllatina. Me përvojën e tij si futbollist dhe me lidhjen e fortë që ka me klubin, Iljazi synon të rikthejë frymën e dikurshme të ekipit dhe të ndërtojë një skuadër që do të garojë denjësisht në sezonin e ri informon Tetovasot.

Ai ka paralajmëruar se strategjia e klubit do të mbështetet kryesisht te talentet e reja vendore, të cilët do të kenë hapësirë të shprehen dhe të zhvillohen, por gjithashtu ekipi do të forcohet edhe me disa futbollistë më me përvojë për të balancuar energjinë dhe eksperiencën.

Sezoni i ri pritet të nisë muajin e ardhshëm dhe për Iljazin kjo është një sfidë e re, por edhe një mision personal për të kontribuar në zhvillimin e futbollit në vendlindje. Ndeshjet e skuadrës do të zhvillohen në stadiumin e Komunës së Tearcës, ku pritet që tifozët e apasionuar të mbështesin fuqishëm ekipin e tyre.

Iljazi ka theksuar se qëllimi kryesor nuk është vetëm rezultati sportiv, por edhe krijimi i një baze të fortë për të ardhmen, ku të rinjtë do të gjejnë hapësirë për të treguar talentin dhe për t’u bërë pjesë e historisë së Vëllazërimit.TS