Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë në Kosovë përballen me kërcënime serioze gjatë ushtrimit të detyrës. Shpeshherë, qytetarët e pakënaqur e kalojnë kufirin e sjelljes së ligjshme, duke u bërë kërcënim për sigurinë e zyrtarëve dhe vetë funksionimin e rendit dhe ligjit.

Një ngjarje e tillë është raportuar dje në Prishtinë, ku një e re ka telefonuar linjën emergjente 192 dhe ka kanosur zyrtarët policorë.

Burime të Sinjalit bëjnë me dije se rasti ka ndodhur më 27 gusht 2025, rreth orës 13:00, kur D. I, rreth 22-vjeçare, ka bërë thirrjen kërcënuese.

Policia ka siguruar praninë e saj në Stacionin Policor Veri-Prishtinë dhe, me autorizim të Prokurorit, ka kryer një bastisje në shtëpinë e saj në rrugën “Bajram Bahtiri”, por nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

E dyshuara është intervistuar, por ka zgjedhur të mbrohet në heshtje. Pas konsultimit me Prokurorin Kujdestar, është vendosur që rasti të iniciohet si “Kanosje”, ndërsa e dyshuara është dërguar për kontroll në Psikiatri.