Kryeministri shqiptar Edi Rama e ka gati për ta hapur zarfin e shumëpritur me emrat e skuadrës së tij të katërt, me të cilët do të qeverisë.
Siç raporton Top Channel, kryeministri Edi Rama ka vendosur datën 11 shtator, ora 10:00 në Tiranë për anonçimin e ministrave të rinj.
Prezantimi i emrave të ministrave të rinj, një ditë pas seancës së parë të Parlamentit shënon një ndryshim në traditën e shpalljes së qeverisë në këto 12 vite, kur deri tani fundi i gushtit ka qenë periudha kur Asambleja socialiste thirrej për t’u njohur me kabinetin e ri.
Pra, kabineti Rama 4 do të mësohet një ditë pas betimit të deputetëve të rinj, dalë nga zgjedhjet e 11 Majit.
E ndërsa askush nga ministrat aktualë nuk e di nëse do të qëndrojë në detyrë, dy duket se do të jenë parimet mbi të cilat Rama ka konturuar e ndërtuar skuadrën e re qeverisëse.
Së pari do të ulë në tryezën e Këshillit të Ministrave, ministra me profil të lartë teknik, kjo në shërbim të procesit të mbylljes së kapitujve të hapur të anëtarësimit në BE.
Së dyti, Edi Rama është kujdesur të ketë në skuadër ministra me sa më pak përballje të mundshme me SPAK gjatë katër viteve të ardhshme.
Në mbledhjen e Asamblesë Socialiste të 11 shtatorit, po ashtu do të mësohet se kujt do t’ia besojë Rama postin e zëvendëskryeministrit, kryetarit të Parlamentit dhe kreun e Grupit Parlamentar.
Krahas ministrave të rinj, pritet edhe riformatimi i disa ministrive, të cilët brenda vetes me strukturën e sotme përfshinë shumë dikastere.