Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka uruar nxënësit, mësuesit dhe prindërit, duke e cilësuar këtë ditë si një moment të veçantë, sidomos për fëmijët që nisin klasën e parë.

“Për fëmijët e klasës së parë kjo ditë ka rëndësi të veçantë, sepse për ta nis një etapë e re, ku do të vendosen themelet e dijeve dhe formimit të tyre. Për nxënësit e klasave të tjera, ky është një vazhdim i rrugëtimit të dijes, një mundësi për të avancuar më tej,” – tha Mexhiti.

Ai theksoi se shkolla është hapësira ku fëmijët formohen jo vetëm me dije, por edhe me vlera e bashkëjetesë, ndërsa përkushtimi i komunës për arsimin mbetet një prioritet i përditshëm.

Mexhiti njoftoi se gjatë muajve të verës janë vizituar të gjitha shkollat e Çairit dhe janë bërë investime në infrastrukturë, përfshirë riparimin e klasave, përmirësimin e ambienteve sanitare dhe rritjen e sigurisë. Gjithashtu janë ndërmarrë masa për pastrim dhe mirëmbajtje, në mënyrë që procesi mësimor të nisë në kushte të rregullta.

Në fund, kryetari i Çairit shprehu mirënjohje të veçantë për mësuesit, duke i cilësuar si shtylla kryesore në formimin e brezave të rinj.

“Urime viti i ri shkollor! Uroj që të jetë një vit i mbushur me rezultate dhe arritje për të gjithë nxënësit dhe mësuesit tanë,” – përfundoi ai.