Мickoski: Përgjimi nga ASK nuk është goditje ndaj meje dhe gazetarëve, por ndaj demokracisë, së drejtës për liri dhe themeleve të shtetit

Sot jemi mbledhur rreth një ideje që është themel i çdo demokracie të pjekur – qeverisjes së hapur. Me vetë praninë tonë këtu, dërgojmë një mesazh të qartë: vullneti politik dhe vendosmëria e Qeverisë për të vazhduar me reformat në luftën kundër korrupsionit, modernizimin e sektorit publik, transformimin digjital dhe forcimin e stabilitetit demokratik, të cilat nuk janë vetëm nocione deklarative, por reale dhe praktike.
Përcaktimi ynë për partneritet dhe transparencë është ngushtësisht i lidhur me të ardhmen evropiane të shtetit. Procesi i afrimit drejt Bashkimit Evropian nuk është vetëm një procedurë administrative, por një rrugë thelbësore transformuese. Qeverisja e hapur është mjeti përmes të cilit ne e realizojmë në mënyrë efektive Programin e punës së Qeverisë 2024–2028, në fokusin e të cilit janë qytetarët dhe besimi i tyre te institucionet.
Në diskutimet e sotme do të fokusohemi pikërisht në këtë – si përmes parimeve të transparencës, llogaridhënies dhe pjesëmarrjes së publikut të nxisim përparimin në integrimin evropian dhe realizimin e reformave kombëtare kyçe.
Prandaj jam mirënjohës që sot janë mes nesh ministri Goran Minçev dhe z. Aidan Ejakuza, të cilët me përvojën dhe dijen e tyre janë nxitje e fuqishme për këtë proces.
Zonja dhe zotërinj,
Nuk mund ta anashkaloj edhe kontekstin aktual në të cilin zhvillohet ky takim.
Shteti ynë po përballet me një skandal të ri – përgjim të paligjshëm dhe keqpërdorim masiv të sistemit gjatë viteve të fundit.
Unë personalisht, atëherë si kryetar i partisë më të madhe opozitare, e sot si kryeministër, bashkë me gazetarë, media, biznesmenë dhe figura publike kemi qenë viktima të sistemit që i ka përgjuar qytetarët e vet.
Ky nuk është sulm vetëm ndaj meje, por ndaj demokracisë, ndaj të drejtës për liri, ndaj themeleve të shtetit.
Dua të përcjell një mesazh: Nuk do të ketë drejtësi selektive. Do të ketë përgjegjësi. Do të ketë zgjidhje ligjore.
Populli ynë për shumë kohë ka qenë viktimë e keqpërdorimeve, e skemave korruptive dhe e qendrave të fshehta të pushtetit. Koha e të paprekshmëve ka përfunduar.
Pikërisht për këtë, partneriteti për qeverisje të hapur është përgjigja jonë e përbashkët. Sepse aty ku ka dritë, nuk ka vend për hije. Kur institucionet janë të hapura dhe llogaridhënëse, nuk ka vend për keqpërdorime, as për kërcënim të lirisë dhe demokracisë.
Ky takim është dëshmi që ne nuk ikim nga problemet – ne i zgjidhim ato.
Ne nuk kemi frikë nga sfidat – ne i kapërcejmë ato.
Vizioni ynë është të ndërtojmë një shtet me institucione të forta, administratë moderne, shërbime digjitale të aksesueshme për çdo qytetar, me një ekonomi në rritje dhe një shoqëri që beson në demokraci.
Të nderuar,
Besoj se bisedat e sotme do të na ndihmojnë të shfrytëzojmë potencialin e qeverisjes së hapur jo vetëm si politikë, por si një kulturë qeverisjeje.
Detyra jonë është të krijojmë një sistem që të jetë transparent, i drejtë dhe efikas, një sistem që do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe i cili do ta kthej dinjitetin e interesit publik.
Sot dërgojmë një mesazh të qartë: Maqedonia qëndron fuqishëm në rrugën e reformave, të integrimit evropian dhe luftës kundër korrupsionit. Dhe nga ajo rrugë nuk ka kthim pas.