Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i ka bërë thirrje SHBA-ve të “rishikojnë urgjentisht” vendimin e tyre për të bllokuar zyrtarët palestinezë nga pjesëmarrja në një takim të OKB-së në Nju Jork më vonë këtë muaj.

Kohët e fundit, SHBA-të thanë se do të revokojnë vizat e dhjetëra zyrtarëve palestinezë, përfshirë presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, transmeton Telegrafi.

Ky veprim “nuk përputhet me raison d’etre të Kombeve të Bashkuara”, tha Erdogan në një fluturim kthimi nga Kina, sipas një njoftimi nga zyra e tij sot.

“Vendimi duhet të rishikohet urgjentisht. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ekziston që çështjet e botës të diskutohen dhe të gjenden zgjidhje”, tha lideri turk.

“Mosprania e delegacionit palestinez në Asamblenë e Përgjithshme do ta kënaqte vetëm Izraelin. Ajo që pritet nga Shtetet e Bashkuara është t’u thonë ‘ndalo’ masakrave të Izraelit”, shtoi ai.

Disa aleatë të SHBA-së, përfshirë Francën, Maltën, Australinë dhe së fundmi Belgjikën, kanë njoftuar plane për të njohur Palestinën si shtet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator.

Kanadaja dhe Mbretëria e Bashkuar do ta bëjnë këtë gjithashtu, përveç nëse Izraeli përmbush kushte të caktuara.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume