Sot u mbajt promovimi i Strategjisë për bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë për periudhën 2026–2030, ku morën pjesë ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, si dhe përfaqësuesi i OBSH-së, Akim Ali, koordinatorja për Kombet e Bashkuara, Rita Kolumbia, dhe Lesli Miler nga UNICEF.

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, theksoi se strategjia është plotësisht e harmonizuar me Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit, me detyrimet që dalin nga procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe me Kornizën e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara.

“Në periudhën e ardhshme do të jemi të përkushtuar në forcimin e partneriteteve me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe UNICEF-in me fokus të veçantë tek vaksinimi, si dhe me UNFPA në drejtim të përmirësimit të kujdesit shëndetësor për nënat dhe fëmijët. Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë të punojë aktivisht mbi prioritetet kryesore: procesin e digjitalizimit, transparencën dhe llogaridhënien para qytetarëve, si dhe një sistem shëndetësor të drejtë që funksionon në interes të qytetarëve”, theksoi ministri Aliu.

Akim Ali nga Organizata Botërore e Shëndetësisë theksoi se kjo strategji nuk është vetëm një politikë shëndetësore – por është ndërtim stabiliteti, besimi dhe një e ardhme më e drejtë për të gjithë në vend.

“Me Strategjinë, Maqedonia e Veriut i bashkohet përpjekjeve të përbashkëta evropiane për forcimin e sistemeve shëndetësore rezistente dhe të përgatitura për të ardhmen”, theksoi Ali.

Koordinatorja e Kombeve të Bashkuara, Rita Kolumbia, theksoi se strategjia e bashkëpunimit me vendin tregon se si detyrimet globale përkthehen në veprim kombëtar – plotësisht të harmonizuar me agjendën shëndetësore dhe zhvillimore të vendit.

-Shëndeti nuk mund të shihet i izoluar; ai lidhet me arsimin, mjedisin, klimën, mbrojtjen sociale dhe transformimin digjital. Strategjia ofron një kornizë për veprim të përbashkët mbi këto lidhje, përfundoi Kolumbia.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume