Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka dalë me akuza të ashpra ndaj kandidatit të Aleancës për Shqiptarët, Izet Mexhiti, duke e cilësuar atë si “simbol të korrupsionit, nepotizmit dhe tradhtisë politike”.
“Për dy dekada ai e shfrytëzoi Çairin si bankomat personal dhe trampolinë për pushtet, duke lënë pas vetes vetëm rrënoja,” thuhet në reagimin e BDI-së.
Sipas partisë, tenderët e kurdisur dhe kontratat e ndara mes firmave të lidhura me familjen dhe klanin e tij, si dhe punësimi i dhjetëra të afërmve me dy apo tre paga mujore, janë dëshmi e qartë e mënyrës së qeverisjes së Mexhitit.
“Miliona euro që duhej të shkonin për zhvillim urban përfunduan në xhepat e rrethit të ngushtë të tij. Një regjim i ngritur mbi ryshfet, klientelizëm dhe përfitime personale,” thekson BDI.
Partia e Ahmetit akuzon se gjatë mandatit të Mexhitit, Çairi u shndërrua në shembull të kaosit urban.
“Rrugë të copëtuara, mbeturina në çdo cep, mungesë totale e planifikimit. Në vend që të ndërtohej një komunë moderne, Mexhiti e ktheu Çairin në simbol të mjerimit dhe prapambetjes,” thuhet më tej në komunikatë.
Nga BDI thonë se pas 20 viteve pushtet nuk ka asnjë projekt madhor për t’u kujtuar, përveç “gropave, betonit pa plan dhe lagjeve të lëna pas dore”.
“Mexhiti i shfrytëzoi qytetarët e Çairit vetëm për vota, ndërsa vetë iku nga komuna për të jetuar rehat në vilën e tij në Butel. Ai e braktisi Çairin sapo mori atë që dëshironte: pushtet dhe pasuri. Kjo është dëshmi e qartë se ai kurrë nuk e ka dashur këtë komunë e as banorët e saj,” akuzon më tej BDI.
Në fund, kjo parti thotë se 19 tetori do të shënojë fundin e epokës së korrupsionit.
“Dy dekada sundim i Mexhitit lanë pas një komunë të shkatërruar dhe qytetarë të zhgënjyer. Çairi sot është dëshmia më e gjallë për atë që ndodh kur një njeri i korruptuar e mban peng komunën për 20 vite. Më 19 tetor, Çairi do të çlirohet nga pengmarrja e Izet Mexhitit dhe e kompanisë së tij,” përfundon reagimi i BDI-së.
Përgjigje nga VLEN. BDI dhe e vërteta janë të shkurorëzuara që moti, por më shumë se gjithçka i ka djegur momenti kur Izet Mexhiti shkuli Blerim Bexhetin, Artan “non grata” Grubin e Bujar Osmanin bashkë me gjithë garniturën e tyre nga Njësia Zgjedhore numër 1. Që atëherë, BDI ka humbur toruan dhe mundohet të mbulojë dështimin me shpifje, destabilizim e Fake News, por faktet janë kokëforta kundër tyre.
Fakt është se takimi i Bujar Osmanit me Nikolla Gruevskin e listës së zezë është i dokumentuar dhe nuk mund të fshihet me kumtesa të shkruara në kuzhinat e propagandës. Fakt është se automjeti i Ali Ahmetit u mbajt me orë të tëra në stacion policor për shkak të dyshimeve se ish-kryeministri Gruevski ishte nxjerrë nga shteti me të. Fakt është se përmes Daka Davidoviqit, BDI ishte gati t’ia falte Tetovën si pashallëk. Fakt është se Osmani e Grubi i dhanë nënshtetësi biznesmenit kontravers, të futur në listën e zezë amerikane, Aleksandar Onishçenko.
E njëjta logjikë e nënshtrimit e ndjek BDI-në edhe në skenën ndërkombëtare.
Fakt është se BDI u bë promotori kryesor i projektit serb “Ballkani i Hapur”, i kundërshtuar nga VLEN dhe Kosova si rrezik për shqiptarët. Fakt është se Bujar Osmani, si shef i OSBE-së, zhvilloi 11 takime në Beograd dhe asnjë në Prishtinë. Fakt është se ai dështoi në dënimin e sulmit terrorist të Banjskës, ndërsa plani i tij 9-pikësh për veriun e Mitrovicës u hartua në favor të Serbisë. Fakt është se Fatmir Besimi shtrëngonte duart me Shutanovacin e gjeneralin serb Ljubisha Dikoviq, të njohur për krime mbi shqiptarët.
Prandaj, çfarëdo që të shpifin sot për “botën serbe”, për zhbërjen e MO-së apo për referendumin e mbijetesës së tyre, e vërteta është një: BDI po plas nga fakti se VLEN në zgjedhjet lokale po ua imponon reformën që ata e kanë aq shumë frikë, përfundon kumtesa nga VLEN. Flaka Media