Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, ka reaguar ashpër ndaj qeverisë për mosrealizimin e premtimit kyç për decentralizimin e pushtetit, një ndër zotimet më të theksuara të koalicionit shqiptarë qeveritar VLEN gjatë fushatës zgjedhore para më shumë se 15 muajsh.

Sipas Snopçes, qeveria ka dështuar të ofrojë strategji konkrete për forcimin e pushtetit lokal, duke lënë komunat pa burime të qëndrueshme financiare dhe pa mbështetje institucionale.

“Fatkeqësisht, decentralizimi mbeti vetëm një fjalë goje. Qeveria nuk ka vullnet politik dhe nuk ka ndërmarrë asnjë hap të rëndësishëm për zbutjen e problemeve që përballen komunat,” deklaroi Snopçe.

Ai theksoi se institucionet ndërkombëtare tashmë kanë konstatuar mungesën e vullnetit të qeverisë për një decentralizim të mirëfilltë, çka rrezikon të thellojë edhe më shumë pabarazitë mes rajoneve dhe të dëmtojë funksionimin e demokracisë lokale.

Deputeti Snopçe ngriti shqetësimin edhe për faktin se burimi kryesor financiar i komunave urbane janë lejet e ndërtimit, një praktikë që po çon drejt mbingarkesës urbane dhe shkatërrimit të hapësirave publike.

“Nëse vazhdohet kështu, në të ardhmen nuk do të kemi kushte normale për jetë, as infrastrukturë cilësore për qytetarët,” paralajmëroi ai.

Në fund, Snopçe i bëri thirrje qeverisë që të mos e lërë më tej në harresë këtë çështje jetike për funksionimin e shtetit dhe mirëqenien e qytetarëve.

“Decentralizimi nuk është luks, është nevojë urgjente,” përfundoi ai.

Mgid