Tensionet mes Izraelit dhe Egjiptit janë rritur ndjeshëm, pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu akuzoi Egjiptin se po mban “të burgosur” banorët palestinezë të Gazës që kërkojnë të largohen nga zona e luftës. Kairo reagoi ashpër, duke e quajtur deklaratën “të papranueshme” dhe një përpjekje për të përshkallëzuar krizën në rajon.

Ministri i Jashtëm egjiptian, Badr Abdelatty, deklaroi se Egjipti dënon me forcë komentet e Netanjahut, të cilat sipas tij synojnë “të zgjatin konfliktin dhe të forcojnë paqëndrueshmërinë në Lindjen e Mesme”.

“Dëbimi i palestinezëve nga tokat e tyre përbën një vijë të kuqe për Egjiptin dhe kjo nuk do të lejohet kurrë. Dëbimi do të thotë shfarosje dhe fund i çështjes palestineze”, u shpreh Abdelatty gjatë një deklarate për mediat nga Lefkosia e Qipros.

Egjipti ka qenë ndër ndërmjetësit kryesorë në përpjekjet për arritjen e një armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit, së bashku me SHBA-në dhe Katarin, por tensionet po rriten gjithnjë e më shumë.

Abdelatty ripërsëriti gjithashtu akuzat për gjenocid nga ana e Izraelit në Rripin e Gazës, një pretendim që Tel Avivi e mohon kategorikisht.

Mgid