Protesta paqësore e mijëra njerëzve në kryqëzimin pranë rrethrrotullimit në Novi Sad të premten në mbrëmje u shndërrua në dhunë dhe represion policor siç nuk mbahet mend ndonjëherë në atë qytet.

Protesta u bë e dhunshme kur studentët dhe qytetarët e mbledhur arritën tek Fakulteti i Filozofisë, përpara të cilit policia ndodhet tash dhjetë ditë.

Qytetarët pretendojnë se incidentet i nisi vetë policia, ndërsa autoritetet thonë të kundërtën, duke deklaruar se policët u sulmuan pa asnjë arsye.

Është e çuditshme që vetëm një minutë pas përfundimit të fjalimeve në protestë, mediave u është dërguar një njoftim nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku thuhej se kishin informacione për një sulm të planifikuar ndaj policisë, duke paralajmëruar se policia do të ndërhyjë.

Pasojë e ndërhyrjes policore ishin qytetarë të arrestuar dhe të plagosur, ndërsa policët me maska përdorën bomba shokuese, gaz lotsjellës dhe dhunë ndaj qytetarëve – madje edhe ndaj personave të moshuar që po kalonin të pafuqishëm në rrugë.

Në stilin e tij të zakonshëm, për të disatën herë, presidenti Aleksandar Vuçiq deklaroi se protestuesit “tentuan destabilizimin e Serbisë” dhe se bëhej fjalë për “ndërhyrje nga jashtë”, duke akuzuar “plehrat evropiane”.

“Jam mirënjohës për përfaqësuesit e Parlamentit Evropian, nuk di nga cila parti janë, disa plehra janë mbledhur atje, që na treguan se ku e kanë vendin dhe si duhet të luftojmë kundër tyre… Shkoni rrënojeni vendin tuaj, mos e rrënonin Serbinë. Plehra të ndyrë. Jo vetëm që jeni plehra, por jeni edhe më keq se aq…”

Situata e tensionuar vazhdoi edhe pas mesnate, kryesisht pranë godinës së rektoratit ku ishin fshehur qytetarët pas ndërhyrjes së policisë.

Brutaliteti i policisë u dëshmua edhe nga një video, në të cilën një pjesëtar i xhandarmërisë ia merr nga dora telefonin një studenteje për të mos lejuar që ajo të filmonte çfarë po ndodhte brenda ndërtesës.

Napad pripadnika žandarmerije! pic.twitter.com/VLhLirMchx

— FTN SE BUDI (@ftn_se_budi) September 5, 2025

Sipas Nova.rs, policia të premten në mbrëmje në Novi Sad ka goditur qytetarët me shkopinj gome, ka hedhur bomba zhurmuese dhe gaz lotsjellës ndaj protestuesve. Nga sasia e madhe e gazit, edhe disa policë janë ndjerë keq, duke hequr maskat dhe duke u ulur në gjunjë. /Telegrafi/

Mgid