Në Çair u hap një kapitull i ri i shpresës dhe përfshirjes rinore. Kandidati për kryetar të komunës Bujar Osmani e lansoi projektin “Ti flet, Çairi ndryshon: Kutia e problemeve në Çair”; një nismë që synon t’i japë zë të rinjve me ide, propozime dhe vizione për komunën.

“47% e qytetarëve të Çairit janë nën moshën 30 vjeçare. Kjo është një forcë e jashtëzakonshme, një energji që duhet kanalizuar në mënyrë institucionale. Ne nuk duam që rinia të ndihet e lënë pas dore, por të bëhet pjesë aktive e vendimmarrjes në komunë”, tha Osmani.

Propozimi kryesor ishte që komuna e Çairit do të mbulojë shpenzimet për patentë shoferët për të rinjtë më të dalluar.
“Për studentët me notë mesatare 10.00; për ata që do të fitojnë vendin e parë, të dytë ose të tretë në garat republikane; si dhe për të rinjtë që do të marrin shpërblime ndërkombëtare, komuna do të mbulojë të gjitha shpenzimet për marrjen e patentë shoferit. Ky është mesazhi ynë: suksesi shpërblehet, mundi njihet, e rinia ka përkrahjen e komunës së saj”, theksoi Osmani.

Në kuadër të projektit, ai paralajmëroi edhe hapjen e Qendrës Rinore Multifunksionale në Sheshin Skënderbe; krijimin e një fondi për inovacion; si dhe bursa për studentët më të talentuar. Përmes kutisë së problemeve dhe platformës digjitale, të rinjtë do të kenë mundësi të japin idetë e tyre për projekte konkrete që komuna do t’i mbështesë.

“Ky nuk është vetëm një projekt elektoral; është një lëvizje gjithëpopullore e shpresës. Jemi këtu për të dëgjuar zërin e rinisë, për t’i bërë ata pjesë të ndryshimit dhe për ta kthyer Çairin në model të bashkëjetesës dhe inovacionit”, përfundoi Osmani.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume