Aleanca për Shqiptarët rikujton se pika e tetë e Platformës Kombëtare e saj përqendrohet te Decentralizimi i Administratës Publike dhe Siguria Publike, si shtylla kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe fuqizimin e komunave shqiptare.

Ne besojmë se fuqizimi i komunave është parakusht për vendimmarrje autonome, zbatim efektiv të projekteve lokale dhe adresim të nevojave reale të qytetarëve. Në këtë drejtim, Aleanca për Shqiptarët angazhohet për:

Transferim të plotë të kompetencave dhe buxheteve te komunat shqiptare.

Forcim të institucioneve lokale përmes transparencës maksimale dhe qeverisjes së drejtë dhe të përgjegjshme.

Riorganizim të administratës komunale mbi bazën e meritokracisë, profesionalizmit dhe etikës, duke eliminuar klientelizmin dhe punësimet politike.

Digjitalizim të shërbimeve komunale, për t’i bërë ato më të shpejta, efikase dhe të qasshme për çdo qytetar.

Në fushën e sigurisë publike, Aleanca për Shqiptarët garanton:

Përfaqësim të barabartë të shqiptarëve në polici dhe zjarrfikës.

Investime të vazhdueshme në ndriçim publik, kamera sigurie dhe rrugë të sigurta.

Bashkëpunim aktiv me strukturat e lagjeve për parandalimin e kriminalitetit dhe përdorimit të substancave të dëmshme, nën konceptin “Lagje e Sigurt”, ku përgjegjësia për sigurinë është e drejtpërdrejtë në çdo njësi lokale.

Aleanca për Shqiptarët thekson se barazia reale dhe përfaqësimi i drejtë në të gjitha nivelet e shtetit janë shtylla mbi të cilat duhet të ndërtohet një pakt i ri politik mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Një shtet demokratik nuk mund të funksionojë mbi bazën e margjinalizimit, prandaj një decentralizim i vërtetë në nivel lokal është i domosdoshëm.

Ne i bëjmë thirrje të gjitha partive shqiptare, sektorit civil, intelektualëve dhe të gjitha shtresave shoqërore të përkrahin këtë pakt politik të propozuar, si garanci për një shtet funksional, të barabartë dhe evropian.

Aleanca për Shqiptarët paralajmëron se qeveria aktuale po përgatit një ligj për vetëqeverisje lokale që është centralizim plus, një hap i papranueshëm që e mohon autonominë komunale dhe është një nga arsyet kryesore për të braktisur këtë qeveri antishqiptare dhe tashmë monoetnike.

Aleanca për Shqiptarët qëndron e vendosur për decentralizim të plotë, siguri publike dhe barazi reale për qytetarët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.

Mgid