Këshilli i Shtetit i Kinës nxori kohët e fundit “Udhëzuesin për çlirimin e potencialit të konsumit sportiv dhe promovimin e mëtejshëm të zhvillimit cilësor të industrisë sportive”, ku theksohet që, deri në vitin 2030, do të kultivohen një numër ndërmarrjesh sportive dhe veprimtarish sportive me ndikim botëror dhe niveli i zhvillimit të industrisë sportive do të rritet ndjeshëm, me një përmasë të përgjithshme prej mbi 7 trilionë juanësh.

Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit mbajti të mërkurën një konferencë shtypi për këtë udhëzues.

foto nga VCG

Li Jing, zëvendësdrejtor i Administratës së Përgjithshme Kombëtare të Sporteve të Kinës, vuri në dukje: “Këtë vit, Administrata e Përgjithshme e Sporteve planifikon të mbajë ose të mbështesë më shumë se 600 veprimtari ndërkombëtare dhe të organizojë më shumë se 190 veprimtari kombëtare të nivelit të lartë, si kampionate kombëtare, gara e ndeshje për titull kampion etj. Do të promovohet hapja e mëtejshme e burimeve publike, si rrugët dhe zonat ujore për veprimtari sportive, do të nxiten shërbimet e certifikimit të të drejtave të autorit e të tregtimit lidhur me veprimtaritë sportive dhe do të shtohet numri i biletave për shitje.”

Përgjegjësi përkatës i Komitetit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës të Kinës tha se do të vazhdojë mbështetja për ndërtimin e objekteve sportive dhe objekteve afër publikut, së bashku me Administratën e Përgjithshme të Sportit dhe departamente të tjera. Në të njëjtën kohë, për sa i përket industrisë së sporteve në natyrë, synohet “ndërtimi i rreth 100 destinacioneve sportive në natyrë me cilësi të lartë deri në vitin 2030”, dhe do të forcohet mbështetja për mjediset e kualifikuara sportive në natyrë dhe objektet e shërbimit publik nëpërmjet fondeve qendrore, instrumenteve të reja financiare të politikave, fondeve të mirëqenies publike të lotarisë sportive dhe platformave të tjera të financimit, duke drejtuar më shumë kapital shoqëror për t’u përfshirë në industrinë e sporteve në natyrë.

foto nga VCG

Përgjegjësi përkatës i Ministrisë së Tregtisë theksoi që konsumi sportiv është një fushë e rëndësishme e konsumit në shërbime. Ai bëri të ditur se do të ndërtohen një sërë platformash të promovimit të konsumit, duke përshpejtuar krijimin e formateve të reja, modeleve të reja dhe skenarëve të rinj të konsumit, si edhe inovacionin e skenarëve të larmishëm të konsumit në shërbime, që të promovohet zhvillimi i integruar i biznesit, turizmit, kulturës, sportit dhe shëndetësisë.

Liga e Futbollit e Hunan-it 2025, e nisur në qytetin Changsha të provincës Hunan të Kinës Qendrore, tërhoqi më shumë se 40 000 shikues. Për t’i ofruar publikut një përvojë gjithëpërfshirëse shikimi, organizatorët i kanë kthyer biletat për ndeshjet e këtij kampionati në leje konsumi, me të cilat shikuesit mund të gëzojnë zbritje në ofrimin e ushqimeve, qëndrim në hotel dhe aspekte të tjera. Gjatë zhvillimit të kampionatit, rreth stadiumeve do të ngrihet edhe një zonë konsumi “Gjërat e këndshme nga Hunan”, për të nxitur integrimin e thellë të “sportit + konsumit”.

Superliga e Futbollit e Jiangsu-së 2025/ VCG

Superliga e Futbollit e Jiangsu-së 2025/ VCG

Në provincën Jiangsu, Superliga e Futbollit e Jiangsu-së (që në gjuhën kineze quhet shkurtimisht “Su Chao”) është bërë aq tërheqëse, saqë është e vështirë gjetja e një bilete për shikimin e ndeshjeve. Popullariteti i “Su Chao”-s ka nxitur edhe konsumin në qendrat tregtare në provincën Jiangsu, ku tifozët jo vetëm mund të shijojnë ndeshjet, por edhe të kënaqen nga kuzhina dhe blerjet.

Kamponati i basketbollit “Zhe BA” 2025 /VCG

Në provincën Zhejiang është në zhvillim e sipër kamponati i basketbollit “Zhe BA”. Deri më 2 shtator janë zhvilluar gjithsej 280 ndeshje të këtij kampionati, me një numër të përgjithshëm shikuesish 918 500 dhe të ardhura nga biletat mbi 7 milionë juanë, duke nxitur konsumin kulturor, të biznesit, turizmit dhe sportit prej më shumë se 1 miliard juanësh.

Çmimi i Madh F1 i Kinës në automobilizëm 2025 në Shangai /VCG

Çmimi i Madh F1 i Kinës në automobilizëm 2025 në Shangai /VCG

Më 22 mars të këtij viti përfundoi në Shangai Çmimi i Madh F1 i Kinës në automobilizëm. Gjatë tre ditëve të zhvillimit, kjo veprimtari tërhoqi më shumë se 220 000 shikues në terren, prej të cilëve 20 % ishin nga Shangai, 70 % ishin nga krahina të tjera të vendit dhe rreth 10 % të tjerë të huaj. Kjo veprimtari nxiti një konsum të drejtpërdrejtë prej më shumë se 1.4 miliard juanësh.

Deri në vitin 2023, numri i njerëzve që merrnin pjesë në mënyrë të rregullt në ushtrime fizike në Kinë u rrit nga 360 milionë që ishte në vitin 2014, në 550 milionë, duke u ngritur nga 26 % në 39 % të popullisë së përgjithshme kineze. Ky udhëzues ofron drejtim dhe mbështetje të re për hapin tjetër të promovimit të kalitjes fizike masive në Kinë.

Mgid