Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë dhe funksionari i VLEN-it, Arben Fetai, ka reaguar ashpër ndaj BDI-së, duke thënë se kudo që shkojnë, qytetarët përsërisin të njëjtin mesazh: “Kurrë më BDI”.

Sipas tij, përpjekja e kësaj partie për t’u ribrenduar si “AKI” nuk ka sjellë asgjë tjetër përveç shtimit të irritimit tek shqiptarët. “Për 22 vjet qeverisja e tyre ka qenë një shfaqje mashtrimi dhe abuzimi: gënje këtu, vidh atje, kërcëno me vende pune, burgos një, shkel një tjetër, poshtëro të tretin”, ka shkruar Fetai.

Ai i akuzoi drejtuesit e BDI-së se, të kapur nga paniku, po përpiqen të krijojnë kaos dhe rrëmujë politike. “Siç thoshte Arbën Xhaferi: Anarkia është pasoja më e hidhur e lirisë, e demokracisë së keqpërdorur. Pikërisht kështu po veprojnë ata sot”, theksoi ai.

Duke komentuar raportet brenda opozitës, Fetai tha se Bujari lavdëron Taravarin, ndërsa ky i fundit nuk ia përmend emrin, kurse Sela “është zhdukur nga fjalori i tyre”.

“E vërteta është se vetëm ata janë përmbysur dhe tani po luftojnë për mbijetesën e tyre politike. Për fat të keq, kemi opozitën më të rraskapitur dhe më të diskredituar në Ballkan”, përfundoi Fetai.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume