Qeveria e Koresë së Veriut po zbaton gjithnjë e më shumë dënimin me vdekje, kjo edhe për qytetarët që kapen duke parë dhe shpërndarë filma dhe drama televizive të huaja, sipas një raporti të fundit të OKB-së.
Sipas raportit, vendi mbetet kryesisht i izoluar nga bota dhe vazhdon të shtypë qytetarët përmes punës së detyruar, kufizimeve të lirisë dhe mbikëqyrjes intensive. Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut njoftoi se gjatë dekadës së fundit, shteti ka shtrënguar kontrollin mbi “të gjitha aspektet e jetës së qytetarëve”, duke përdorur përparimet teknologjike për mbikëqyrje.
Raporti bazohet në mbi 300 intervista me të arratisur nga Koreja e Veriut gjatë 10 viteve të fundit. Ai zbulon se dënimi me vdekje po përdoret më shpesh dhe se të paktën gjashtë ligje të reja që nga viti 2015 lejojnë këtë formë dënimi. Një krim që tani mund të dënohet me vdekje është shikimi dhe shpërndarja e përmbajtjes së mediave të huaja.
Të arratisurit raportuan se ekzekutimet kryhen shpesh në publik, duke krijuar frikë tek qytetarët dhe duke dekurajuar shkeljen e ligjit. Kang Gyuri, e arratisur në vitin 2023, tha se tre shoqet e saj u ekzekutuan për shkak të përmbajtjes koreano-jugore.
Raporti evidenton gjithashtu përkeqësimin e kushteve të jetesës. Familje të varfra rekrutohen në “brigada goditëse” për projekte ndërtimi dhe minierash, ku vdekjet janë të zakonshme dhe shpesh lavdërohen si sakrificë për udhëheqësin Kim Jong Un.
Raporti i OKB-së kujton se të burgosurit politikë ende torturohen dhe kequshqyerja mbetet problematike.
OKB-ja ka bërë thirrje që situata t’i kalojë Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë, por sanksionet e reja janë bllokuar nga Kina dhe Rusia që nga viti 2019.