Antonio Conte ka preferuar të mbajë të fshehtë zgjedhjet e tij për formacionin e Napolit në ndeshjen e ardhshme të Serie A kundër Fiorentinës, por ka zbuluar se ka dy opsione për të zëvendësuar Amir Rrahmanin e lënduar, i cili sezonin e kaluar ishte titullar në të 38 ndeshjet e kampionatit.

Serie A rikthehet këtë fundjavë pas pauzës së shtatorit për kombëtaret, me Napolin që do të përballet në transfertë me Fiorentinën, përpara se të presë Manchester Cityn të enjten në debutimin e tij në Ligën e Kampionëve pas dy sezonesh mungesë.

Në konferencën për shtyp të së premtes, Conte dha përditësime mbi gjendjen e lojtarëve, përfshirë transferimin e madh Kevin De Bruyne.

I pyetur fillimisht për mungesën e Rrahmanit, trajneri italian theksoi rëndësinë e mbrojtësit kosovar:

“Është një mungesë e madhe, ai luajti 38 nga 38 ndeshje vitin e kaluar,” tha Conte.

“Është një lojtar kyç për këtë skuadër, por siç kam thënë edhe më parë, duke luajtur çdo tre ditë dhe më pas edhe me kombëtaren, rreziku i lëndimeve është më i lartë.

“Kemi tentuar të jemi të përgatitur për raste të tilla gjatë merkatos. Beukema ka ardhur, gjithashtu kemi Marianuccin. Që nga nesër, do të jetë mundësia për t’i parë në fushë. Duhet t’i lejojmë të luajnë dhe të përshtaten me mjedisin e ri.”

Conte shtoi gjithashtu se përveç De Bruyne, i cili shihet si transferimi më i madh i verës, edhe të gjithë lojtarët e rinj duhet të jenë gati të ndihmojnë menjëherë:

“Kam thënë gjithmonë që djemtë që kemi sjellë duhet të jenë të gatshëm të na japin dorë tani dhe njëkohësisht të jenë garanci për të ardhmen.”

Mgid