Autoritetet turke kanë arrestuar të shtunën Hasan Mutlu, kryetar i bashkisë së rrethit Bayrampasas në Stamboll, së bashku me 47 zyrtarë të tjerë lokalë, si pjesë e një hetimi për korrupsion, raporton The Guardian.

Ky zhvillim shihet si pjesë e një fushate më të gjerë ndaj Partisë Republikane të Popullit (CHP), forcës kryesore opozitare në vend.

Sipas transmetuesit shtetëror TRT Haber, policia e Stambollit kreu bastisje në 72 lokacione, duke sekuestruar dokumente dhe duke ndaluar Mutlun dhe disa prej zëvendësve të tij.

Ai akuzohet për rryshfet, përvetësim, mashtrim dhe manipulim të tenderëve të bashkisë.

Në një reagim në rrjetin X, Mutlu mohoi akuzat, duke i quajtur “operacione politike dhe shpifje pa bazë”. Ai tha se kishte shërbyer vetëm për qytetarët e Bayrampasas dhe se nuk kishte kryer asnjë shkelje.

Mutlu është figura më e fundit nga një listë prej më shumë se një duzine kryebashkiakësh të CHP-së, përfshirë edhe kryetarin e Stambollit dhe liderin e partisë, Ekrem Imamoglu.

Imamohlu, i konsideruar si rivali kryesor politik i presidentit Recep Tayyip Erdogan, u arrestua në mars, duke nxitur protesta masive në të gjithë Turqinë.

Të premten ai u paraqit në gjykatë për akuzën e falsifikimit të diplomës universitare. Seanca tjetër është caktuar për tetor, ndërsa prokuroria kërkon një dënim deri në 8 vjet e 9 muaj burg dhe ndalim nga aktivitetet politike.

CHP-ja pretendon se këto arrestime janë pjesë e një strategjie të qeverisë për të dobësuar opozitën dhe për t’i hapur rrugë Erdoganit për një tjetër mandat pesëvjeçar në zgjedhjet e vitit 2028, ose më herët, nëse thirren zgjedhje të parakohshme. Qeveria mohon këto pretendime, duke këmbëngulur se gjykatat në Turqi janë të pavarura.

Opozita shënoi fitore të rëndësishme në zgjedhjet vendore të vitit të kaluar, duke ruajtur Stambollin dhe Ankaranë, si dhe duke fituar terren në bastione tradicionale të Partisë së Drejtësisë dhe Zhvillimit (AK) të Erdoğanit.

Ndërkohë, të hënën në Ankara pritet që një gjykatë civile do të shqyrtojë vlefshmërinë e kongresit të vitit 2023 të CHP-së, çështje që mund të ndikojë në drejtimin e partisë dhe të thellojë tensionet e brendshme në prag të zgjedhjeve të ardhshme.

Mgid