Legjenda britanike e boksit, Ricky Hatton, ka ndërruar jetë në moshën 46-vjeçare, vetëm disa javë pas njoftimit të rikthimit të tij në ring.

Ish-kampioni i botës u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në Greater Manchester. Policia bëri me dije se vdekja e tij nuk po trajtohet si e dyshimtë.

Gjatë karrierës së tij nga 1997 deri në 2012, Hatton fitoi shumë tituj në kategoritë light welterweight dhe welterweight. Ai konsiderohet si një nga boksierët britanikë më të dashur të të gjitha kohërave.

Hatton u fut në International Boxing Hall of Fame si pjesë e klasës së vitit 2024.

Një zëdhënës i Policisë së Greater Manchester tha: “Oficerët u thirrën nga një qytetar në Bowlacre Road, Hyde, Tameside, në orën 6:45 të mëngjesit sot, ku gjetën trupin e një burri 46-vjeçar. Aktualisht nuk besohet të ketë rrethana të dyshimta.”

Në korrik të këtij viti, Hatton kishte deklaruar se do të kthehej nga pensioni për një ndeshje në Dhjetor në Dubai, 13 vjet pas ndeshjes së tij të fundit profesionale.

Ai kishte folur më parë publikisht për problemet e tij me shëndetin mendor dhe varësinë nga droga, dhe kishte mbijetuar përpjekje për vetëvrasje në të kaluarën. Në 2023, Hatton u bë ambasador i organizatës për shëndetin mendor Campaign Against Living Miserably.

“Nëse një boksier mund të dalë dhe të thotë se po përballet me vështirësi dhe qan çdo ditë, kjo do të bëjë një ndryshim të madh,” kishte thënë ai për BBC-në në 2020.
“Duke kaluar përmes kësaj, tani e shoh si detyrë timen të ndihmoj ata që vuajnë me shëndetin mendor.”

Homazhe kanë ardhur nga kolegët e tij të sportit dhe jo vetëm.

Ish-boksieri Amir Khan tha se Hatton ishte “jo vetëm një nga boksierët më të mëdhenj britanikë, por edhe një mik, një mentor, një luftëtar.”
“Si luftëtarë, i themi vetes se jemi të fortë – stërvitemi, djersitim, marrim goditje, ngrihemi. Por ndonjëherë beteja më e vështirë zhvillohet në heshtje, në mendje,” shtoi Khan.

Moderator i njohur Piers Morgan e përshkroi vdekjen e tij si “një lajm jashtëzakonisht i trishtueshëm.”
Ish-futbollisti Michael Owen e mbështeti këtë mendim: “RIP Ricky Hatton,” shkroi në rrjetet sociale, “Çfarë njeriu. Dhe çfarë luftëtari.”
“Pushofsh në paqe, z. Ricky Hatton,” tha Chris Eubank Jr në X. “Të nderojmë.”

Hatton njihej si një tifoz i përkushtuar i Manchester City-t. Një zëdhënës i klubit shprehu “ngushëllimet më të sinqerta” për miqtë dhe familjen e Hatton-it dhe njoftoi se do të mbahej një minutë nderimi para ndeshjes së sotme kundër Manchester United.
“Ricky ishte një nga mbështetësit më të dashur dhe të respektuar të City-t, i cili gjithmonë do të mbahet mend për karrierën e tij të shkëlqyer në boks, ku fitoi tituj bote në kategoritë welterweight dhe light-welterweight,” shtuan ata.

Ish-mbrojtësi i Manchester City-t, Micah Richards, i bëri homazhe Hatton-it: “Ai është një ikonë britanike … një tifoz i vërtetë i Man City-t,” tha Richards, “por më e rëndësishmja, ai ishte një njeri i popullit.”

Mgid