Është përgjegjësi historike e subjekteve politike shqiptare që pas zgjedhjeve të hartojnë një platformë
gjithëpërfshirëse për çështjet madhore të komunitetit. Një platformë e tillë duhet të përfshijë
objektiva të qarta: zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, avancimin e të drejtave kolektive dhe
individuale, garantimin e përfaqësimit të drejtë në institucionet shtetërore dhe koordinimin e
veprimeve për integrimin e shpejtë të vendit në BE.
Nga Prof. dr. Skënder ASANI
Zgjedhjet e 19 tetorit nuk janë një garë e zakonshme për pushtet; ato përbëjnë një provë historike
për fatin e Maqedonisë së Veriut dhe rolin e shqiptarëve në proceset shtetformuese dhe
integruese të vendit. Edhe pse formaliteti i tyre është lokal dhe duhej të fokusoheshin në
problematika komunale, realiteti është tjetër: retorika dhe ngjarjet pas zgjedhjeve parlamentare të
vitit të kaluar kanë humbur destinacionin, duke u shndërruar në çështje që rrezikojnë sigurinë e
shtetit, orientimin strategjik dhe marrëdhëniet ndëretnike. Në këtë kuadër, faktori shqiptar mbetet
shtylla pa të cilën arkitektura shtetërore nuk mund të qëndrojë. Por a e kupton politika shqiptare
peshën e saj historike?
Fatkeqësisht, fushata ka nxjerrë në pah retorikë të ashpër, përplasje personale dhe përçarje të
brendshme që minojnë besimin e qytetarëve dhe unitetin shqiptar. Kjo gjuhë e nxehtë nuk i
shërben askujt tjetër përveç atyre që synojnë dobësimin e faktorëve vendimmarrës shqiptarë.
Përçarja, shpesh e ushqyer edhe nga faktorë të jashtëm që ndjekin logjikën “fituesi merr gjithçka,
humbësi humbet gjithçka”, është një tentativë për të kufizuar ndikimin historik të shqiptarëve në
proceset shtetformuese dhe integruese.
Historia na kujton se shqiptarët shpesh janë cenuar më shumë nga brenda sesa nga jashtë.
Tentativat për të minuar Marrëveshjen e Ohrit, relativizimi i parimit të Badinterit dhe përdorimi i
kapitalit oligarkik për të ndarë subjektet shqiptare janë prova të qarta të një strategjie që synon
dobësimin ekstrem të faktorit shqiptar. Kjo sjellje përngjan me instrumentet historike të fuqive
që kanë shfrytëzuar ndarjet brenda komuniteteve të brishta për të kontrolluar destinacionin e tyre.
Në horizontin politik të Maqedonisë po shfaqen zhvillime që në pamje të parë duken si lëvizje të
zakonshme të skenës politike, por në thelb mbartin një tendencë të rrezikshme për ardhmërinë e
pozitës kushtetuese të shqiptarëve. Degradimi i skajshëm i çështjes shqiptare, i ndërlidhur me
përplasjet dhe fragmentimet e kampit politik shqiptar, e dobëson fuqinë përfaqësuese dhe e bën
të brishtë vendimmarrjen kolektive. Paralelisht, oligarkia dhe partia maqedonase që menaxhon
qeverinë tashmë për më shumë se një vit duket se po tentojnë të relativizojnë apo edhe të
grabisin vetë kauzën shqiptare, duke projektuar skenarë që mund të çojnë deri në zhvendosjen
ose fshirjen e Marrëveshjes së Ohrit nga preambula kushtetuese.
Investimet e kësaj oligarkie, përmes mekanizmave të partisë në pushtet, synojnë ta copëzojnë
faktorin politik shqiptar, në mënyrë që në momentin kritik të ndryshimeve kushtetuese, zëri i
shqiptarëve të jetë i zbehur dhe reagimi i tyre i kufizuar, ndërkohë që bashkësia ndërkombëtare
do të përballej me faktin e kryer. Ky skenar, përveçse rrezikon themelet e funksionimit shtetëror,
defaktorizon aktorët politikë shqiptarë dhe hap terren për lindjen e subjekteve të reja, qoftë
politike apo shoqërore, që do të artikulojnë platforma alternative mbi pozitën kushtetuese të
shqiptarëve.
Në këtë kontekst, një vëmendje e shtuar e faktorit ndërkombëtar bëhet domosdoshmëri, pasi
dimensioni i involvimit të botës serbe dhe ndikimeve ruso-kineze në devijimin e orientimit
euroatlantik të Maqedonisë është më i madh se kurrë. Nëse këto skenarë do të realizoheshin,
pasojat do të ishin të rënda dhe të shumëfishta: shqiptarët në Maqedoni do të humbnin një prej
garancive kryesore të barazisë kushtetuese, duke u rikthyer në një pozitë të margjinalizuar dhe të
brishtë politike; Marrëveshja e Ohrit, si themel i stabilitetit shumëetnik, do të shndërrohej në një
dokument të arkivuar dhe jo në një realitet funksional, çka do të nxiste tensione të reja shoqërore
e politike. Për më tepër, zbehja e rolit të faktorëve politikë shqiptarë do të hapte terren për
radikalizim diskursesh dhe fragmentim të mëtejshëm të përfaqësimit, duke rrezikuar stabilitetin e
shtetit në tërësi.
Në planin rajonal dhe ndërkombëtar, realizimi i këtij projekti do të forconte ndikimin serbo-rus e
kinez, duke zbehur orientimin euroatlantik të Maqedonisë dhe duke krijuar një precedent të
rrezikshëm për destabilizimin e rajonit. Prandaj, mosreagimi ndaj këtyre prirjeve nuk do të ishte
thjesht një problem i brendshëm i Maqedonisë, por një goditje ndaj arkitekturës së sigurisë dhe
paqes në Ballkan.
Megjithatë, 19 tetori mbetet një mundësi vendimtare. Dy sfida kryesore i presin shqiptarët: së
pari, finalizimi i procesit të ndryshimeve kushtetuese, pa të cilat nuk hapet rruga e integrimit në
Bashkimin Evropian; së dyti, konsolidimi dhe avancimi i shtetformësisë, ku Marrëveshja Ohrit
nuk do të ishte mbyllja por hapja e një procesi të ri. Këto procese nuk janë vetëm marrëveshje
formale; ato janë kontrata historike që kërkojnë respektim të plotë dhe zbatim të barabartë për të
gjithë qytetarët.
A do të kalojnë partitë shqiptare nga retorikat e nxehta drejt një platforme të përbashkët
kombëtare? A do të tregojnë pjekuri për të ulur në një tryezë të vetme, ku interesi i përgjithshëm
të peshojë më shumë se kalkulimet e ngushta?
Është përgjegjësi historike e subjekteve politike shqiptare që pas zgjedhjeve të hartojnë një
platformë gjithëpërfshirëse për çështjet madhore të komunitetit. Një platformë e tillë duhet të
përfshijë objektiva të qarta: zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, avancimin e të drejtave
kolektive dhe individuale, garantimin e përfaqësimit të drejtë në institucionet shtetërore dhe
koordinimin e veprimeve për integrimin e shpejtë të vendit në BE. Ky unitet do të ishte sinjali
më i qartë për qytetarët shqiptarë dhe partnerët ndërkombëtarë se faktori politik shqiptar është jo
vetëm i gatshëm të marrë përgjegjësi, por edhe një faktor përcaktues në stabilitetin dhe të
ardhmen e vendit.
Subjektet politike shqiptare duhet të tregojnë mençuri dhe maturi strategjike, duke shmangur
retorikën e ashpër parazgjedhore që vetëm u shërben planeve për t’i dobësuar dhe fragmentuar në
momentet vendimtare. Vetëm përmes uljes së tensioneve dhe ndërtimit të një gjuhe të
përgjegjshme politike mund të krijohet terreni për konsensus të brendshëm. Ky konsensus është i
domosdoshëm për t’u përballur me procesin e ndryshimeve kushtetuese dhe për të penguar çdo
tentativë për zbehjen e Marrëveshjes së Ohrit, e cila mbetet themel i barazisë dhe stabilitetit në
vend.
Ky është momenti për një “pakt kombëtar” që do të ruajë të arriturat, të forcojë unitetin
brendashqiptar dhe ta bëjë faktorin shqiptar jo vetëm garanci të barazisë dhe të drejtave, por edhe
faktor kyç për stabilitetin dhe integrimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut. Shqiptarët nuk
mund të jenë spektatorë në zhvillimet që përcaktojnë fatin e tyre; ata duhet të jenë aktorë të
bashkuar, të vendosur dhe të mençur, duke treguar se janë faktor përcaktues në vendimmarrjen
strategjike të shtetit.
Vetëm përmes unitetit, koordinimit dhe respektit ndaj marrëveshjeve që kanë garantuar barazinë
dhe stabilitetin, shqiptarët mund të mbrojnë të arriturat, të avancojnë drejt barazisë së plotë dhe
të sigurojnë një të ardhme evropiane. Historia do të gjykojë jo mbi ashpërsinë e fushatës, por mbi
aftësinë për t’u bashkuar në momentet vendimtare.
Kjo është ora e vërtetë e përgjegjësisë politike dhe kombëtare: ora për të ndërtuar një “pakt
kombëtar” që do të garantojë shtetformësinë shqiptare, integrimin evropian dhe stabilitetin
afatgjatë të Maqedonisë së Veriut. Vetëm kështu shqiptarët do të tregojnë se janë jo vetëm faktor
i rëndësishëm politik, por edhe garanci e paqes, e demokracisë dhe e së ardhmes evropiane të
vendit.
Shkup, 15 shtator 2025