Sulmi i Izraelit kundër Hamasit në Doha, takim urgjent mes shteteve arabe dhe islamike në Katar, çfarë pritet të vendoset

Një takim urgjent i shteteve arabe dhe islamike po zhvillohet në Katar në përgjigje të sulmit ajror të Izraelit ndaj udhëheqësve të Hamasit në Doha javën e kaluar.
Një projektrezolutë e parë nga agjencia e lajmeve Reuters dënon atë që i quan “akte armiqësore të Izraelit, duke përfshirë gjenocidin, spastrimin etnik dhe urinë”, të cilat sipas saj kërcënojnë “perspektivat e paqes dhe bashkëjetesës”. Izraeli i ka mohuar fuqimisht akuza të tilla.
Nuk është e qartë se çfarë vendimesh praktike mund të merren, pasi analistët thonë se çdo lloj reagimi ushtarak është jashtë diskutimit.
Më parë, kryeministri i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim al-Thani, i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare të ndalojë zbatimin e “standardeve të dyfishta” dhe të ndëshkojë Izraelin.
Të dielën, Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se “Katari ka qenë një aleat shumë i shkëlqyer. Izraeli dhe të gjithë të tjerët, duhet të jemi të kujdesshëm. Kur sulmojmë njerëz, duhet të jemi të kujdesshëm”.
Duke u nisur për në Izrael të shtunën, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha se Trumpit nuk i pëlqeu mënyra se si ndodhi sulmi në Katar.
Gjatë vizitës së tij, Rubio do të takohet me udhëheqës izraelitë për të diskutuar luftën në Rripin e Gazës dhe çështje të tjera kyçe që ndikojnë në Lindjen e Mesme.
Sulmi izraelit ndaj kryeqytetit të Katarit u dënua javën e kaluar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.