Janë identifikuar rreth njëzet persona për të cilët ekziston dyshim i bazuar se qëndrojnë pas zjarreve. Për fat të keq, ka qendra të fuqisë që përpiqen të fusin frikë dhe panikë tek qytetarët para zgjedhjeve, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve gjatë vizitës në Komunën e Jegunovcës.

– Ndërsa unë jam këtu në Jegunovcë, është duke u mbajtur mbledhje në krye të strukturave të MPB-së, ku janë identifikuar rreth njëzet persona për të cilët ekziston dyshim i bazuar se qëndrojnë pas këtij procesi. Njëkohësisht, kemi pasur disa njoftime që i kemi mbledhur ditët e fundit dhe në një aksion të koordinuar MPB-ja me Ministrinë e Mjedisit do të veprojnë në ditët që pasojnë. Për fat të keq ka struktura që në këtë mënyrë përpiqen të fusin destabilitet dhe trazira, por siç e thashë, ata do të shpikin, do të përfitojnë nga fatkeqësitë, do të sabotojnë, kurse ne do të punojmë me ndershmëri, do të luftojmë dhe në fund përsëri do të fitojmë, tha kryeministri.

Mickoski theksoi se sot në mëngjes është shfaqur një incizim i qartë se si është vënë zjarr në një objekt ku shpërtheu zjarri në orën 4:30. Zjarri ndodhi në një servis makinash në Pintia.
– Kam qenë vazhdimisht në kontakt si me kryetarin e Komunës së Kisella Vodës, ashtu edhe me ministrin dhe me ekipet e zjarrfikësve të Shkupit. E patë se si me guxim është vënë zjarri, dhe kjo është vetëm një tjetër dëshmi e asaj që e them gjatë gjithë kohës, se për fat të keq ka qendra të fuqisë që përpiqen të fusin frikë dhe panikë tek qytetarët para zgjedhjeve. Dhe përgjigjen në pyetjen se kujt i shkon kjo për shtat, mendoj se me një analizë të shkurtër do ta kuptoni, tha kryeministri Mickoski.

Mgid