Një infermiere, e cila ka qenë përgjegjëse për spitalin ditor në Klinikën e Radioterapisë dhe Onkologjisë në Shkup, gjatë kohës kur drejtor ishte Nino Vasev, dëshmoi sot në gjyqin për rastin “Onkologjia 2” se ndonjëherë ndodhte që në klinikë të mungonte një terapi e caktuar, por disa pacientë ta merrnin atë, si dhe se kishte raste kur pacientëve u ishin ndryshuar terapitë e përshkruara.

Në pyetjen e prokurores Ana Gogovska Jakimovska, dëshmitarja, e cila punon prej 22 vitesh si infermiere në Onkologji, tha se kishte detyrë të bënte inventarin e barnave në baza javore dhe pacientët që merrnin terapi nga buxheti i kushtëzuar t’i çonte për miratim te drejtori i Klinikës, që në atë kohë ishte Vasev.

– Kishte histori që nuk miratoheshin menjëherë sapo të dorëzoheshin. Pas sjelljes së historisë në spitalin ditor, ajo duhej të nënshkruhej nga drejtori. Me raportin e nënshkruar të ditës bëheshin katër kopje dhe dërgohej kërkesa; një raport mbetej në farmaci dhe dy ruheshin në dosje – sqaroi ajo.

Ajo tha se kishte raste kur terapia mungonte në Klinikë, por disa pacientë e merrnin.
– Një nga pacientët ishte Zoran, i cili merrte një ampulë të pencentit. Në atë moment nuk kishte në Klinikë, gruaja e tij, e cila ishte inspektore, erdhi dhe pyeti pse nuk ka. Ne shpjeguam dhe ajo tha: “Do të ngjitem te drejtori.” Pas pak kohe më thirri drejtori dhe më dha një ampulë pencentit në praninë e bashkëshortes së pacientit. E mora dhe e përgatita në ambulancë. Një tjetër paciente, Salihu, merrte ampulë Keytruda. E kishte marrë një ampulë që nuk gjendej në Klinikë. Edhe një pacient tjetër më ka ndodhur, për të cilin kam marrë ampulë nga zyra e drejtorit – tha dëshmitarja.

Ajo shtoi se kishte raste kur doza e përshkruar ishte ndryshuar:
– Për një pacient më kujtohet se në raport ishte fshirë doza e shkruar, e cila ishte më e vogël, dhe ishte shkruar me dorë një dozë më e madhe. Për pacientin Igor, që merrte ampulë Printuda, vura re se përsëritej në raportet që i bënim çdo tre javë. Nuk jam mjeke, jam infermiere, por terapia merret çdo 21 ditë – tha ajo.

E pyetur nga Prokuroria nëse terapia merrej në Klinikë, dëshmitarja tha se kishte pacientë që merrnin terapi në Spitalin Klinik të Shtipit me leje të mjekut, ashtu si edhe një pacient tjetër, dhe ata firmosnin kur merrnin ampulat dhe nënshkruanin përsëri kur i kthenin boshat.

– Mund të flas për spitalin ditor, jo për gjithë Klinikën. Ne bënim, dhe ende bëjmë, inventar javor të barnave, ku shihej gjendja. Para inventarit të Vitit të Ri 2022 pamë se na mungonin 90 ampula Gemzart. Ishte fiks para Vitit të Ri. Fillimisht lajmëruam te kryeinfermierja, pastaj te drejtori. Kur u kthyem në punë më 3 janar, më thirri drejtori dhe më pyeti që kur mungonin. I thashë se bëjmë inventar çdo javë dhe se në inventarin para Vitit të Ri mungonin 90 ampula. Kishte edhe një rast tjetër: një punonjës që ishte përgjegjës për përgatitjen e terapisë tha se barnat Zometa, që ishin kërkuar, ishin lënë në një kuti mbi tavolinën e punës dhe ishin zhdukur. Bëmë inventar të jashtëzakonshëm dhe më pas erdhi policia. Këto janë dy rastet që më kujtohen – tha dëshmitarja.

Në pyetjen shtesë të prokurores, nëse e dinte si ruheshin barnat në zyrën e drejtorit, ajo tha se nuk e dinte.
– Nuk e di si ruheshin, por meqenëse ishin të ftohta, me shumë gjasa ishin në frigorifer – sqaroi ajo.

E pyetur nëse një terapi e blerë privatisht nga pacienti do të shënohej në historinë mjekësore, dëshmitarja tha se po, do të ishte e shënuar.

Në pyetjen e kryqëzuar të avokatit të Vasevit, Nikola Stavrev, nëse nënshkrimi i drejtorit thjesht do të thoshte se kishte stok, ajo tha se nënshkrimi i drejtorit nënkuptonte që terapia miratohej.

Avokatja e Nehad Nuhit, Anita Begova, e pyeti nëse nga dëshmia e saj mund të përfundohej se në zyrën e drejtorit kishte farmaci. Dëshmitarja tha:
– Farmaci nuk mund të ketë. Por barnat që i përmenda, unë i kam marrë prej andej. Unë thashë se drejtori m’i dha mua ampulat, jo pacientëve. Nuk kam parë nga i mori barnat – u përgjigj ajo.

E pyetur më tej nëse barnat ishin marrë nga pacienti, dëshmitarja tha se nëse ishin blerë privatisht, do të ishin dhënë nga pacienti.

Në seancën e ardhshme, gjykata do të duhet të vendosë edhe për kërkesën e mbrojtjes për përjashtimin e ekspertes Elizabeta Damevska Jovanovska.

Avokatja Begova tha se më 13 korrik 2017 është regjistruar përfundimi i mandatit të saj si drejtoreshë ekonomike, por gjatë hetimit dhe ekspertizës ajo ka qenë e punësuar në një subjekt juridik brenda Qendrës Klinike “Nënë Tereza”, që kryen shërbime për të gjitha klinikat universitare, përfshirë edhe Onkologjinë.

– Në RMV, sipas regjistrit të ekspertëve për çështje financiare, janë të regjistruar 1216 ekspertë. Pyetja është pse, pikërisht nga 1216, u zgjodh Elizabeta Damevska Jovanovski, e cila nuk mund të ishte eksperte në këtë procedurë. Për më tepër, në vitin 2018 u bartën bilancet nga viti 2017, kur ajo ishte drejtoreshë ekonomike dhe këshilltar teknik ishte drejtori mjekësor i Klinikës – tha Begova.

Avokati i Vasevit reagoi duke thënë se bëhej fjalë për një komplot nga ish-drejtori mjekësor dhe drejtoresha ekonomike, gjë që mund të vërtetohej nga dy dokumente që ia dorëzoi Gjykatës dhe Prokurorisë.
– Nga ky dokument shihet se MPB e kishte nisur gjithë procedurën bazuar në shkrime mediatike dhe më pas kishte përgatitur plan pune, ku shihet se që në vitin 2023, me rekomandimin e Milan Ristovskit, kishte kërkuar që ekspertiza ekonomike të kryhej nga atëherë drejtuesja organizative e Klinikës, Elizabeta Damevska Jovanovska. Kjo tregon qartë se bëhet fjalë për një punë të montuar nga MPB, ndërsa tani Prokuroria ngul këmbë se gjithçka ishte zgjedhja e saj – tha avokati Stavrev.

Në fillim të seancës së sotme, gjykata njoftoi se mbrojtja e Vasevit më 15 shtator kishte dorëzuar një garanci në Gjykatë, e cila do të dërgohet për vendimmarrje.

Të akuzuarit Vasev dhe Nuhi në seancën e kaluar mohuan fajësinë për veprat që u ngarkohen. Mbrojtja pretendon se akuza ndaj tyre është e pabazë dhe e montuar politikisht mbi një ekspertizë ekonomike të personave që janë gjithashtu të inkriminuar, duke theksuar se bëhet fjalë për ish-drejtorin mjekësor dhe drejtoreshën ekonomike të Klinikës që ishin zëvendësuar nga Vasev.

Gjykata Penale në qershor të këtij viti miratoi aktakuzën kundër ish-drejtorëve të Klinikës së Radioterapisë dhe Onkologjisë, Nino Vasev dhe Nehad Nuhi, për abuzime, mashtrim dhe përvetësim në detyrë nga viti 2018 deri në vitin 2022.

Gjyqi për rastin “Onkologjia 2”, që zhvillohet kundër ish-drejtorit mjekësor dhe ish-drejtorit ekonomik të Klinikës së Radioterapisë dhe Onkologjisë në Shkup, Nino Vasev dhe Nehad Nuhi, për keqpërdorim të detyrës dhe krim financiar, do të vazhdojë më 9 tetor me dëgjimin e dëshmitarëve.

Mgid