86 incidente në 65 shkolla janë regjistruar në buletinin e MPB-së që nga fillimi i vitit 2025. Më së shumti – 69 prej tyre – kanë përfunduar me sulme fizike.

Prindërit janë të shqetësuar për sigurinë e fëmijëve të tyre, si brenda ashtu edhe jashtë shkollave. Ekspertët bëjnë apel për bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve dhe familjeve, që të mund të veprohet në mënyrë të bashkërenduar.

Një nga incidentet më të fundit ndodhi në Karposh të Shkupit, ku tri adoleshente sulmuan një vajzë 15-vjeçare. Në një rast tjetër, një fëmijë 10-vjeçar u sulmua fizikisht nga dy bashkëmoshatarë në oborrin e shkollës; njëri prej tyre gjithashtu e regjistroi ngjarjen me telefon.

Këto janë vetëm disa nga rastet e fundit të dhunës mes bashkëmoshatarëve, të cilat janë raportuar në buletinin e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB).

Çdo lajm i tillë shkakton shqetësim të thellë tek prindërit, të cilët, siç thonë vetë, kanë frikë për sigurinë e fëmijëve të tyre si në rrugë, ashtu edhe në mjedisin shkollor.

“Ndjej një shqetësim të thellë për ambientin në të cilin po rriten fëmijët tanë. Në vend që viti shkollor të fillojë me gëzim, miqësi të reja dhe ndjenjë sigurie, ne shohim lajme për dhunë, bullizëm dhe rrahje. Në këto kushte, çdo prind pyet veten: A janë me të vërtetë të sigurt fëmijët tanë ndërsa ecin në rrugë apo qëndrojnë në oborret shkollore?”, thotë për REL, Katerina M., nënë e një fëmije që ndjek mësimet në një shkollë fillore në Shkup, përcjell PressOnline.al

Ajo thekson se siguria, mbështetja psikosociale dhe komunikimi jodhunshëm duhet të jenë prioritet absolut, jo vetëm në shkolla, por edhe në komunitetin më të gjerë.

“Edukimi dhe mbështetja duhet të jenë të vazhdueshme, mekanizmat – të qarta, ndërsa reagimi ndaj çdo incidenti – i shpejtë, që fëmijët të mësojnë, të shoqërohen dhe të rriten pa frikë, ndërsa prindërit të kenë më shumë besim që t’i lënë të ecin vetë nëpër përditshmëri”, shton Katerina.

Në një tjetër shkollë fillore në Shkup mëson edhe fëmija i Gordana S., e cila mbështet qasjen “të parandalohet para se të trajtohet”.

“Nuk mjafton të kërkojmë zgjidhje vetëm kur problemi tashmë ka ndodhur. Duhet të parandalojmë që të mos ndodhin raste të reja. Parandalimi duhet të fillojë nga prindërit, por disa prej tyre nuk kanë ndjenjë etike dhe empatie. Sistemi duhet t’i mbështesë fëmijët viktima të dhunës dhe të mos jetë indiferent ndaj fëmijëve që shfaqin sjellje agresive. Duhet të ketë vëzhgim të posaçëm të aktiviteteve të tyre në shkollë, por edhe jashtë saj, përmes bashkëpunimit me prindërit”, thekson Gordana.

Prindërit dhe institucionet – bashkë për një qëllim
Për psikologen shkollore Gordana Blazhevska Spiridonova nga gjimnazi “Nikolla Karev”, drejtimi i zhvillimit të të rinjve është detyrë e përbashkët e sistemit arsimor, institucioneve përkatëse dhe vetë prindërve.

“Po përballemi me mungesë ndikimi edukues nga ana e prindërve. Kur ata nuk dinë si të përballen me sjelljet problematike të fëmijëve të tyre, shpesh dorëzohen, nuk vendosin kufij të qartë dhe nuk i mësojnë vlerat e duhura. Kështu, në fund duket sikur kemi fëmijë të rritur në egërsi, mes ‘ujqërve’”, thotë për REL psikologia, përcjell PressOnline.al

Ajo thekson se të rriturit nuk duhet të shkelin rregullat për fëmijët dhe as të inkurajojnë sjellje të pahijshme. Fëmijët mësojnë nga mënyra se si të rriturit reagojnë ndaj sjelljes së tyre.

“Nëse fëmijët vrapojnë dhe shtyhen në korridor, çdo i rritur që i sheh duhet të ndërhyjë. Nëse një fëmijë hedh mbeturina, shtyn një shok apo e tall, edhe kjo duhet të ndalohet menjëherë. A po i mësojmë fëmijët tanë të njohin dhe kontrollojnë sjelljet si imponimi agresiv, sjelljet arrogante, diskriminimin apo demonstrimin e forcës përmes dhunës? Nëse jo, këto dukuri do të na përsëriten vazhdimisht.”

Incidentet më të shpeshta janë me sulme fizike
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), nga fillimi i vitit 2025 deri më 31 korrik 2025 janë regjistruar gjithsej 86 incidente në 65 shkolla (48 fillore dhe 17 të mesme), prej të cilave 69 ishin me sulme fizike.

Nga këto, 41 incidente ndodhën në Shkup, 17 në Tetovë, ndërsa në zonat e tjera kishte më pak ose aspak incidente të tilla.

MPB-ja thekson se vepron për çdo rast të paraqitur sipas kompetencave ligjore dhe se zhvillon aktivitete të vazhdueshme parandaluese dhe edukative nëpër shkolla, si dhe organizon takime me personat përgjegjës në institucionet arsimore dhe ushtron fushata ndërgjegjësuese me qytetarët.

Për të ndihmuar në raportimin e rasteve të dhunës, në mars të vitit 2023, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) hapi adresën elektronike [email protected], pas një rasti tragjik në Serbi, ku një nxënës qëlloi për vdekje bashkëmoshatarët dhe një roje në shkollën “Vlladislav Ribnikar” në Beograd.

Mgid