Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ministren e Punëve të Jashtme të Finlandës, njëkohësisht Kryesuese të OSBE-së, Elina Valtonen.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani e falënderoi Finlandën për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës, veçanërisht në proceset e shtetndërtimit, demokratizimit dhe forcimit të institucioneve.

Sipas njoftimit, në cilësinë e Kryesueses së OSBE-së, Valtonen u informua nga Presidentja Osmani mbi zhvillimet e fundit në Kosovë, përkushtimin e institucioneve ndaj paqes dhe stabilitetit si dhe zbatimin e rendit dhe ligjit.

Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim të ngushtë me OSBE-në në procesin e reformave, transparencës institucionale dhe të drejtave të njeriut.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani theksoi se pret që OSBE-ja do të vazhdojë t`i mbështesë prioritetet kyçe të Kosovës, përfshirë barazinë gjinore dhe fuqizimin e të drejtave të njeriut.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume