Jose Mourinho është trajneri i ri i Benficës, duke zëvendësuar Bruno Lagen.

Ish-trajneri i Wolves u shkarkua pas humbjes së skuadrës së tij ndaj Qarabag në ndeshjen e parë të Ligës së Kampionëve për këtë sezon.

Kthimi i Mourinhos në futbollin portugez vjen pas shkarkimit të tij nga Fenerbahçe, pas dështimit të ekipit turk për t’u kualifikuar në fazën e grupeve të garës më të elitës europiane.

Mourinho është i njohur për trofeun e Ligës së Kampionëve që fitoi me Porton dhe për karrierën e tij te klubet e mëdha evropiane si Chelsea, Manchester United, Inter Milan dhe Real Madrid.

Sipas raporteve të shtypit, “Special One” mund të kthehet te një nga yjet e tij të mëparshëm në një marrëveshje sensacionale dyfishe për të rikthyer Benficën në rrugën e duhur këtë sezon.

Gazetari Ekrem Konur ka raportuar se Mourinho dëshiron të sjellë sulmuesin e Al Ittihad, Karim Benzema, në Portugali kur të hapet merkatoja.

Benzema dhe Mourinho kanë pasur një marrëdhënie të suksesshme te Real Madrid, me trajnerin që luajti një rol kyç në transferimin e francezit në kryeqytetin spanjoll.

37-vjeçari mund të jetë në fund të karrierës, por nuk ka humbur aftësinë e tij për të shënuar, duke realizuar një hat-trick në ndeshjen e tij të vetme në Ligën Saudite këtë sezon, në fitoren 5-2 ndaj Al Akhdoud.

Konur beson se Benfica dhe Mourinho mund ta nënshkruajnë sulmuesin për një shumë rreth 5 deri 7 milionë euro.

Por kjo nuk është e gjitha. Skuadra e re e Mourinhos thuhet se është e interesuar gjithashtu për mbrojtësin francez Ferland Mendy nga Real Madrid.

Mendy u transferua te madrilenët nga Lyon në 2019, por ka rënë në disfavor dhe është, me shumë gjasa, zgjedhja e tretë e Realit për pozicionin pas blerjes së verës, Álvaro Carreras, dhe Fran Garcias.

Mbrojtësi i majtë regjistroi 32 paraqitje sezonin e kaluar, me dy asistime, ndërsa madrilenët humbën titullin e La Ligës përballë rivalëve të përjetshëm, Barcelonës.

Benfica aktualisht renditet e dyta në Ligën Portugeze, pesë pikë pas liderëve të Portos, me një ndeshje më pak pas pesë javëve të para. Ata u rikthyen pas humbjes ndaj Qarabag në Ligën e Kampionëve, duke mundur AVS 3-0 në ndeshjen e parë të Mourinhos në stolin e skuadrës.

Para se të merrte detyrën te Benfica, Mourinho ishte i lidhur me një transferim në Premier League, me West Ham ndër klubet që raportohet se ishin të interesuar.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume