Serbia balancon midis Rusisë, Kinës dhe Perëndimit, ndërsa fqinjët e saj mbështeten kryesisht te bashkëpunimi me shtetet anëtare të NATO-s, raporton Radio Evropa e Lirë. Analistët thonë se këto aleanca të kundërta, në një formë ose tjetër, pasqyrojnë rivalitetin global në Ballkanin Perëndimor.
Kështu, rajoni, i cili para një çerek shekulli doli nga lufta e fundit që pasoi shpërbërjen e Jugosllavisë, vazhdon të mbetet nën rreziqe të sigurisë.
Kontrasti më i theksuar është mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa Kosova synon integrim më të thellë në NATO, Serbia, krahas bashkëpunimit me NATO-n, ndërvepron edhe me Pekinin dhe Moskën.
Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina janë dy shtete të Ballkanit Perëndimor që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ashtu si edhe Kina dhe Rusia.
Ish-ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Fatmir Mediu, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky kombinim e ka shndërruar prej kohësh Ballkanin Perëndimor në një version miniaturë të rivaliteteve globale.
Harmonizimi i modernizimit ushtarak me synimet e deklaruara euroatlantike mbetet çështje e diskutueshme edhe për Nikolla Lluniqin, konsulent në Beograd për çështje gjeopolitike dhe të sigurisë.
Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë anëtare të NATO-s; Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina aspirojnë të anëtarësohen, ndërsa Serbia – edhe pse ushtarakisht neutrale – është pjesë e programit të NATO-s “Partneriteti për Paqe”.
Vendet anëtare të NATO-s, në parim, kanë armatim të dizajnuar ose të përshtatur që të jetë i ndërveprueshëm. Kjo do të thotë se pajisjet duhet të flasin “gjuhën” e njëjtë teknologjike.
Sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI), Serbia ka bërë shpenzimet më të mëdha ushtarake në rajonin e Ballkanit Perëndimor gjatë pesë vjetëve të fundit, duke blerë armatim si nga Perëndimi, ashtu edhe nga Lindja.
Vetëm në vitin 2024, Serbia ndau 2.2 miliardë dollarë për ushtrinë – rreth pesë herë më shumë se Shqipëria, që është anëtare e NATO-s. Kosova ndau rreth 162 milionë, krahasuar me 90 milionë të ndarë në vitin 2020.
MAQEDONIA E VERIUT
Që nga fitimi i pavarësisë, Ministria maqedonase e Mbrojtjes ka vendosur bashkëpunim dypalësh me gjithsej 35 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën, Italinë, Norvegjinë, Turqinë, Spanjën, Portugalinë, Kroacinë, Malin e Zi, vendet baltike e të tjera.
Në kuadër të bashkëpunimit dypalësh, pjesëtarët e Ushtrisë maqedonase kanë marrë pjesë në stërvitje të përbashkëta me SHBA-në, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Turqinë, Rumaninë, Slloveninë, Bullgarinë, Poloninë, Hungarinë, Kanadanë, Letoninë dhe Serbinë.
Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s që nga viti 2020. Pjesëtarët e Ushtrisë së saj kanë marrë pjesë në pesë ushtrime të NATO-s, të zhvilluara jashtë vendit, gjatë vitit 2024: në Shqipëri, Gjermani, Belgjikë, Itali dhe Estoni.
Këtë vit, në Maqedoninë e Veriut është mbajtur stërvitja “Reagimi i Shpejtë 25”, në të cilën kanë marrë pjesë mbi 2.200 ushtarë – pjesëtarë të Ushtrisë maqedonase dhe forcave të armatosura të gjashtë vendeve aleate: SHBA-së, Shqipërisë, Greqisë, Italisë, Malit të Zi dhe Britanisë së Madhe, dhe dy vendeve partnere: Austrisë dhe Kosovës.
Në këtë stërvitje janë përdorur pajisje ushtarake moderne, përfshirë automjete inxhinierike dhe të blinduara, tanke, helikopterë luftarakë dhe transporti.
Nga buxheti i mbrojtjes, i cili për vitin 2025 ka arritur në mbi 329 milionë euro, mbi 106 milionë euro janë ndarë për procesin e modernizimit të ushtrisë dhe pajisjeve.
Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Maqedonisë së Veriut i tha Radios Evropa e Lirë se 32 për qind e buxhetit të mbrojtjes, ose 106 milionë euro, janë ndarë për modernizim.
Ministria vuri në dukje se me këto shifra, Maqedonia e Veriut e tejkalon standardin e NATO-s prej 20% për modernizim dhe pajisje.
Aktualisht, janë katër marrëveshje ndërqeveritare aktive: një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për prokurimin e automjeteve të lehta të blinduara JLTV dhe Stryker, me Turqinë për prokurimin e obusëve dhe sistemeve të mbështetjes me zjarr “Boran”, me Francën për prokurimin e një baterie mbrojtëse ajrore me rreze shumë të shkurtër veprimi “Mistral 3” dhe me Italinë për prokurimin e helikopterëve transportues shumëfunksionalë “LEONARDO”.