LSDM-ja nuk ka kurrfarë bashkëpunimi me BDI-n dhe Të Majtën. Këto janë vetëm akuza të kota dhe të pabazuara, tha sot kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Venko Filipçe. Ai në një konferencë për shtyp përsëriti se partia në zgjedhjet lokale garon vetëm në bashkëpunim me partnerët e saj të koalicionit. BDI-së dhe VMRO-së u bëri thirrje të flasin për tema serioze, në vend që të merren me përplasje dhe, siç theksoi, të nxisim nacionalizëm.
Filipçe gjithashtu akuzoi se deri tani nuk është miratuar snjë lirgj reformues në fushën e drejtësisë, si dhe se Qeveria nuk ka kapacitet të përballet me sfidat.
“VMRO-DPMNE-ja është tashmë në dëshpërim kur flet për gjyqësorin. Dua t’i pyes publikisht: deri kur Venko Filipçe dhe LSDM-ja do të jenë fajtorët pse ata nuk munden të zbatojnë asnjë reformë, prej një viti e gjysmë vendosin gjyqtarë dhe prokurorë të tyre dhe vetëm e partizojnë gjyqësorin, nuk ka asgjë thelbësore nga zbatimi i reformave. Unë isha ai që zgjata dorën, mora pjesë në në takim te kryeministri për të krijuar grupe pune të përbashkëta, që të zbatohet agjenda reformuese, por deri tani nuk është miratuar asnjë ligj reformues në fushën e drejtësisë. Nga 12 që duhej të miratoheshin këtë vit, shtatë deri në qershor dhe pesë të tjera deri në fund të vitit, jo vetëm që asnjë nuk është miratuar, por as nuk është dorëzuar nga ana e Ministrisë së Drejtësisë në Kuvend. Është e qartë se VMRO-DPMNE-ja dëshiron ta kontrollojë gjyqësorin. Nuk mund zëdhënësit partiakë të vendosin kush duhet të përfundojë pas hekurave, këtë duhet ta thotë një gjyqësor i pavarur dhe funksional. Këtë e kërkojnë qytetarët”, tha Filipçe.
Sipas tij, “qytetarët tashmë e kanë parë filmin me gjyqësorin e politizuar, kur VMRO-DPMNE-ja e përdorte atë për kërcënime dhe si një instrument për ndjekje politike”.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, Filipçe edhe njëherë i hodhi poshtë informacionet për bashkëpunim të supozuar të LSDM-sl me BDI-në dhe Të Majtën.
Vlerësimi i tij është se fushata e vitit të kaluar ishte e rreme, me shumë premtime boshe.
Për deklaratën e kryeministrit se Maqedonia është e pesta në Evropë për nga rritja e pagave, Filipçe theksoi se realiteti është ndryshe.
“Kryeministri mund të thotë çfarë të dojë, por realiteti është që pagat kanë rënë për të tretin muaj me radhë. Qytetarët nuk do t’u besojnë deklaratave të rreme, sepse ata e dinë më mirë nëse mund t’ia dalin mbanë gjatë muajit. Sinqerisht nuk e kuptoj pse Qeveria nuk i përdor mekanizmat që i ka në dispozicion”, tha kryetari i LSDM-së, Filipçe.