Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi konstatoi diskriminim të drejtpërdrejtë në bazë të cilësive personale në fushën e punës dhe marrëdhënieve të punës nga ana e Aleksandar Kotevski (ish ushtrues detyre drejtor i Filarmonisë Kombëtare) ndaj Diana Imeri Ilkoska.

Rasti me dirigjenten Diana Imeri Ilkoska trazoi opinionin maqedonas në fillim të këtij viti pasi ajo humbi vendin e punës në Filarmoninë Kombëtare të RMV-së. Punësimi i saj nuk u shndërrua nga afat i caktuar në afat të pacaktuar nga ish-drejtori në detyrë, megjithëse ajo i plotësonte kushtet për transformim ligjor të marrëdhënies së punës, dhe vetëm disa ditë më pas iu ndalua hyrja në institucionin ku punonte, ndërkohë që profili i saj artistik si dirigjente u fshi nga faqja zyrtare e internetit e institucionit.

E gjithë kjo dhe një sërë mospërputhjesh tjera ishin arsyeja që Ilkoska të paraqesë ankesë në Komisionin për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi në muajin mars. Duke marrë parasysh pretendimet dhe provat e ankesës, si dhe ato të palës tjetër, Komisioni vendosi se në këtë rast ka pasur diskriminim të drejtpërdrejtë nga ana e Aleksandar Kotevskit.

Në parashtresën e tij, Kotevski nuk ka dhënë arsyet pse nuk e përfundoi procedurën e filluar për transformimin e marrëdhënies së punës, ndërkohë që mbetet e paqartë mbi çfarë analize paraprake dhe vlerësimi ai e ndryshoi qëndrimin fillestar të institucionit, i cili më parë kishte konstatuar nevojën për punësim me afat të pacaktuar, menjëherë pas emërimit të tij. Simptomatike është edhe kërkesa e tij për punësim me afat të caktuar njëvjeçar, pavarësisht nga ky ndryshim qëndrimi – thekson Komisioni në Mendimin e tij.

Sa i përket ndalimit ose kufizimit të hyrjes së Ilkoskës në institucion, Kotevski nuk arriti të dëshmojë se kishte qëllim legjitim dhe arsye të justifikuara për vendosjen e listës në të cilën shënohej shprehimisht se ajo mund të hynte vetëm me leje paraprake. Edhe pse Komisioni vlerësoi se nuk është problematike rregulla që personat e jashtëm mund të hyjnë në objekt vetëm me njoftim dhe leje nga drejtori, mbetet e diskutueshme pse emri i Ilkoskës u publikua në mënyrë të posaçme në hyrje, me theksim se ajo mund të hynte vetëm me leje paraprake, nëse kjo rregull vlen njësoj për të gjithë.

Gjithashtu, sa i përket fshirjes së profilit të saj artistik si dirigjente nga faqja e Filarmonisë, Kotevski nuk arriti të provojë se bëhej fjalë për gabim teknik. Nga të dhënat e dorëzuara rezulton se profili ishte redaktuar (fshirë dhe rikthyer) më 17.01.2025, vetëm disa ditë pas reagimit publik të saj se profili ishte hequr.

Duke marrë parasysh lidhjen mes të gjitha veprimeve të ndërmarra nga ish-drejtori në detyrë Aleksandar Kotevski brenda një periudhe të shkurtër kohore, të cilat ishin drejtpërdrejt të orientuara ndaj Diana Imeri Ilkoskës, pa u vërtetuar ndonjë qëllim legjitim apo arsye e justifikuar, rezulton se ajo u vu në një pozitë më të pafavorshme krahasuar me kolegët e tjerë, për shkak të cilësive të saj personale, me çka plotësohen kushtet për ekzistimin e diskriminimit të drejtpërdrejtë sipas nenit 8, paragrafi 1 të Ligjit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi.

Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi ka dhënë rekomandim që Aleksandar Kotevski t’i kërkojë falje Diana Imeri Ilkoskës për diskriminimin e bërë brenda 30 ditësh, dhe nëse nuk vepron sipas kësaj rekomandimi, Komisioni, në përputhje me kompetencat e tij, do të parashtrojë kërkesë për fillimin e procedurës kundërvajtëse para gjykatës kompetente për kundërvajtje.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com