Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, i hodhi poshtë akuzat e VMRO-DPMNE-së për një gjoja ndryshim qëndrimi lidhur me propozimin francez dhe se kjo është për “shpëtim” përmes gjyqësorit, duke i quajtur ato “një tjetër përpjekje për spin” nga partia që “nuk dëshiron të vazhdojë rrugën evropiane të vendit”.

Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, Filipçe theksoi se sjellja e VMRO-DPMNE-së është e motivuar nga dëshira për ta mbajtur shtetin “të bllokuar”, në mënyrë që ta menaxhojnë “në interes të grupit të tyre të vogël të drejtuesve partiakë dhe kompanive të tyre”.

Duke komentuar akuzën se LSDM po propozon rezolutën për mbrojtjen nga propozimi francez vetëm për të qëndruar në pushtet, Filipçe tha se projekt-rezoluta përmban të gjitha dokumentet e mëparshme dhe përcakton qartë vijat e kuqe.

“Propozimi ynë është i qartë. Në rezolutën tonë janë përfshirë të gjitha dokumentet dhe rezolutat e mëparshme, përfshirë edhe propozimin francez, ku themi qartë se të gjitha elementet identitare janë të mbrojtura. I ftojmë të gjitha partitë politike që ta paraqesim së bashku këtë rezolutë për të siguruar më në fund një formë të konsensusit kombëtar”, tha Filipçe, duke shtuar se gjuha, identiteti, kultura dhe historia janë çështje për të cilat nuk negociohet.

Ai e vlerësoi si të pabazë akuzën e kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, se po përpiqet të gjejë shpëtim te prokuroria dhe gjyqësori. Përgjegjësinë për ngecjen e reformave ai e drejtoi drejtpërdrejt te pushteti aktual i VMRO-DPMNE-së.
“Një vit e gjysmë janë në pushtet dhe nuk kanë bërë asgjë, nuk kanë realizuar asnjë nga reformat e shkruara në dokumentin e përbashkët që quhet agjenda e reformave me BE-në”, deklaroi Filipçe gjatë vizitës së tij sot në Komunën e Aerodromit, ku ishte së bashku me kandidatin për kryetar komune, Aleksandar Trajanovski.

Sipas tij, përgjegjësia për moszbatimin e reformave në gjyqësor bie mbi kryeministrin dhe ekipin e tij, ndërsa qëllimi i VMRO-DPMNE-së është ta kontrollojë gjyqësorin.
“Gjithçka që duan është të kontrollojnë gjyqësorin, të ruajnë familjarët, miqtë, bashkëshortët e kryetarëve të komunave, të partnerëve të koalicionit, me qëllim që të kenë njerëzit e tyre dhe të ndikojnë në proceset gjyqësore. Asgjë më shumë nuk duan. Për fat të keq, shteti përsëri është i politizuar, si në mandatin e tyre të mëparshëm deri në vitin 2017”, tha Filipçe.

I pyetur për vlerësimin e Mickoskit se qytetarët zgjedhin mes opsionit të VMRO-DPMNE-së dhe atij të LSDM-së, BDI-së dhe të Majtës, Filipçe përsëriti se ka dy opsione të kundërta politike.
“Njëra është opsioni progresiv, pro-evropian dhe i sinqertë i LSDM-së, për punë në interes të qytetarëve. Opsioni tjetër është i VMRO-DPMNE-së, për politizimin e institucioneve, për vendosjen e kuadrove partiake, ku të rinjve u thuhet se mjafton të keni librezë partie të VMRO-DPMNE-së, madje edhe me diploma të rreme për fakultet dhe gjuhë të huaj”, shtoi Filipçe.

Ai i hodhi poshtë akuzat për koalicion me BDI-në dhe të Majtën, duke theksuar se pikërisht VMRO-DPMNE ka bashkëpunuar me ta në parlament dhe në nivel lokal.
“Si mund të na akuzojnë neve kur qartë themi se nuk kemi asnjë koalicion as me BDI-në, as me të Majtën. Sa herë u kaluan ligje që kërkonin shumicë prej dy të tretash? Dëgjuam nga drejtues të BDI-së se ka pasur iniciativa për takime dhe bashkëpunim para zgjedhjeve, këtë e tha Bujar Osmani. Edhe në nivelin e qytetit, kur këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së u duhej, ata bënë koalicion me të Majtën për ta bllokuar qytetin përsëri. Këto gënjeshtra nuk kalojnë më”, tha Filipçe.

I pyetur nëse pret ndryshime në koalicionet në pushtetin qendror, Filipçe tha se gjithçka është e mundur kur bëhet fjalë për VMRO-DPMNE-në.
“Unë mendoj se për interesin e tyre të ngushtë partiak dhe personal ata janë gati të bëjnë gjithçka”, u përgjigj Filipçe.

Edhe në lidhje me akuzat e VMRO-DPMNE-së se është në koalicion me Stevçe Jakimovskin, Filipçe tha se kjo është “një tjetër dëshmi se kryeministri dhe qeveria nuk kanë çfarë të thonë, prandaj merren me opozitën”.
“Nuk kanë me çfarë projekti të mburren, nuk kanë realizuar asgjë. Kur nuk e kanë këtë, merren me opozitën, me disa spina, me nxitjen e tensioneve ndëretnike, dhe kjo është e njëjta histori që u kaloi vitin e kaluar. E nxitën nacionalizmin bashkë me BDI-në sepse nuk kishin çfarë të thonin. Më vjen keq që pas një viti e gjysmë pushtet gjithçka është e njëjtë”, tha Filipçe.

Sot Filipçe iu referua edhe gjendjes në pushtetin lokal në Aerodrom, duke thënë se është e nevojshme një ndryshim, sepse “nuk e meriton të duket si një deponi”.
“Plehëra kudo, rreth kontejnerëve, koshat e thyer, mbeturina në hapësirat e gjelbra, për fat të keq ato nuk janë kositur, asnjë premtim i parealizuar. Së pari nga Timço Mucunski, i cili iku nga komuna, më pas nga pasardhësi i tij Dejan Mitevski, për të cilin me të vërtetë nuk e kuptoj si mund të kandidojë dhe të premtojë diçka, kur sot komuna nuk ka absolutisht asnjë rregullim, nuk ka përmbajtje për të rinjtë, nuk ka pajisje të re urbane, e vjetra është e thyer, komuna nuk ngjan me asgjë”, shtoi ai duke theksuar se Aleksandar Trajanovski është njeri me vizion.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com