MPB: Nga 12 tetori 2025, Bashkimi Evropian fillon vendosjen graduale të Sistemit për hyrje-dalje (EES)

Ministria e Punëve të Brendshme informon opinionin se duke filluar nga 12 tetori 2025, Bashkimi Evropian do të fillojë vendosjen graduale të Sistemit për hyrje/dalje (EES), i cili do të zbatohet plotësisht deri në prill 2026.
Nga MPB thonë se ky sistem i ri dixhital përfaqëson një nga reformat më të rëndësishme në fushën e menaxhimit të kufijve të BE-së, duke zëvendësuar vulosjen e mëparshme të pasaportave me të dhëna elektronike të të dhënave biometrike (foto dhe gjurmë gishtash), si dhe të dhëna të sakta të datave të hyrjes dhe daljes.
Për kë është sistemi?
EES zbatohet për të gjithë qytetarët e vendeve që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian ose të zonës Shengen dhe që udhëtojnë për qëndrim të shkurtër (deri në 90 ditë brenda 180 ditëve) dhe përfshin:
– udhëtarët që janë të liruar nga viza për të hyrë në BE,
– udhëtarët që kanë vizë për qëndrim të shkurtër.
Qytetarët e shteteve anëtare të BE-së dhe Shengenit nuk i nënshtrohen sistemit të ri.
Vendet ku do të aplikohet EES
Sistemi do të jetë aktiv në të gjitha pikat e kalimit kufitar të jashtëm të 29 vendeve, duke përfshirë: Greqinë, Bullgarinë, Austrinë, Gjermaninë, Francën, Italinë, Spanjën, Suedinë, si dhe Islandën, Norvegjinë, Zvicrën dhe Lihtenshtajnin.
Cilat janë objektivat e vendosjes në përdorim?
Me EES, Bashkimi Evropian synon të:
rrisë sigurinë e qytetarëve, përmes zbulimit më të mirë të dokumenteve të falsifikuara dhe mashtrimit me identitetin,
përmirësojë luftën kundër krimit, terrorizmit dhe migrimit të paligjshëm,
lehtësojë udhëtimin përmes kontrolleve kufitare më të shpejta dhe më efikase,
të ofrojë të dhëna të sakta dixhitale të kohëzgjatjes së qëndrimit, duke eliminuar keqkuptimet e mundshme që ndodhnin më parë me vulat manuale.
Si do të funksionojë sistemi?
Në udhëtimin e parë pas vendosjes në përdorim të sistemit, udhëtarët do të kalojnë nëpër një proces të plotë regjistrimi që përfshin marrjen e fotografisë, skanimin e gjurmëve të gishtërinjve dhe futjen e të dhënave të pasaportës. Për të lehtësuar procedurën, do të ketë edhe pika vetëshërbimi në pikat e kalimit kufitar, dhe është i mundur edhe para-regjistrimi përmes aplikacioneve mobile.
Për udhëtimet pasuese, kontrolli do të jetë dukshëm më i shpejtë sepse të dhënat do të ruhen tashmë në sistem dhe do të kryhet vetëm verifikimi i tyre.
Periudha e tranzicionit
Në periudhën nga tetori 2025 deri në prill 2026, sistemi do të zbatohet në faza. Kjo do të thotë që disa pasagjerë do të marrin ende vulë në pasaportat e tyre, derisa të gjitha pikat kufitare të kalojnë gradualisht në të dhëna të plota dixhitale. Nga 10 prilli 2026, vulat e pasaportave do të zëvendësohen plotësisht nga të dhënat elektronike.
Mbrojtja e të dhënave personale
Të gjitha të dhënat do të përpunohen dhe ruhen në përputhje me standardet strikte të Bashkimit Evropian dhe Rregullores së Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR). Kjo garanton mbrojtje të plotë të privatësisë dhe përdorim transparent të informacionit të mbledhur.
Apel për qytetarët
Ministria e Punëve të Brendshme u bën apel të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut që planifikojnë të udhëtojnë në vendet e zonës Shengen të informohen për rregullat dhe procedurat e reja, në mënyrë që udhëtimet e tyre të jenë në kohë, të sigurta dhe pa vonesa të panevojshme.