Bujar Osmani paralajmëron: Çairi para kolapsit të komunikacionit, nevojitet veprim i menjëhershëm për zgjidhje të parkimit

Kandidati për kryetar të komunës së Çairit, Bujar Osmani, në një konferencë për media e paraqiti vizionin e tij për zgjidhjen e problemit kronik me parkimin, duke paralajmëruar se komuna po përballet me rrezik nga një kolaps i plotë i komunikacionit.
Ai e prezantoi strategjinë e ndarë në fazë afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë. Plani afatshkurtër parasheh që në çdo lagje dhe çdo rrugë të sigurohen së paku dy vende të reja parkimi, një falas dhe një me pagesë, përmes zonave komunale të interesit dhe partneritetit publik-privat.
„Plani afatmesëm parasheh ndërtimin e garazheve nëntokësore dhe mbi tokë me kate. Te shkolla ‘Vasil Gllavinov’ do të ndërtojmë një parking nëntokësor me dy kate me 1.000 vende, i cili do ta lirojë tërësisht bulevardin ‘Xhon Kenedi’ nga veturat. Te kopshti ‘Vesëza’ do të ketë një garazh nëntokësor me tre kate me rreth 520 vende, te sheshi i ri ‘Liria’ një parking nëntokësor me 380 vende, ndërsa te Sahat Kulla një garazh me kate me 120 vende“, tha Osmani.
Përveç këtyre, Osmani theksoi se plani i ri urbanistik do të parasheh edhe katër garazhe të tjera me kate me gjithsej edhe 1.800 vende shtesë. Qasja afatgjatë, siç tha Osmani, lidhet me urbanizimin e plotë në vertikalë.
„Me ndërtim në lartësi do të lirohen hapësira publike për parqe, për zona të reja parkimi dhe për një ndërveprim të vërtetë social të fëmijëve dhe qytetarëve“, theksoi Osmani.
Ai porositi se zgjidhja e problemit të parkimit është parakusht thelbësor që Çairi të shndërrohet në komunë të njerëzve, e jo të veturave.
„Çairi është bërë komunë e veturave, e automobilave, e jo e njerëzve. Me edhe disa qindra apo mijëra vetura të reja, Çairi do të bllokohet tërësisht në të gjitha funksionet. Një dalje nëpër rrugët e Serava, Dizhon, Gazi Baba krijon ankth, stres dhe vonesa. Prandaj duhet urgjentisht të zgjidhet çështja e vendeve të parkimit“, deklaroi Osmani.