Reshje shiu do të fillojnë sonte në shumë pjesë të Republikës së Kosovës, ndërsa në malet më të larta pritet të fillojnë reshje shqote e bore.
Sonte do të kemi afrimin e qendrës ciklonike në Detin Jon, një ciklon i mbushur me lagështi do të rrugëtojë në drejtim të Greqisë dhe Detit Egje duke sjellur reshje të dendura atmosferike në juglindje të Evropës ku gjendemi edhe ne.
Njëkohësisht nga verilindja e Evropës do të fillojnë të depërtojnë temperatura të ulëta direkt nga Rusia dhe kombinimi i lagështisë mesdhetare dhe temperaturave të ulëta nga Rusia do të na japin një “leksion” dimëror herët këtë sezonë.
Reshjet e shiut do të vazhdojnë gjatë ditës së enjte pothuajse pa ndërprerje në Kosovë duke u intensifikuar në mbrëmje apo gjatë natës do të fillojnë të përzihen me shqotë dhe borë edhe në vise të ulëta në Rrafshin e Kosovës si në Anamoravë, Prishtinë dhe rajonin e Llapit. Lokalisht edhe në shumë vise tjera sidomos në pjesët qendrore. Vështirë që mund të ketë borë në ultësirat e Dukagjinit, por mund të ndodhë ndonjë përjashtim ku reshjet mund të miksohen. Kjo dë të varet nga detajet specifike të temperaturave në momentin e reshjeve sidomos kur reshjet janë të dendura.
Periudha me reshje mjaft të dendura shiu e pastaj edhe shqote e bore priten në juglindje, lindje dhe verilindje të Republikës së Kosovës deri në pjesët qendrore.
Reshjet pritet të ndërpriten gjatë fundjavës kur pritet një stabilizim i atmosferës, por mbetet mot i mjajft i freskët dhe me vranësira e intervale kohore me diell. Reshje të dendura priten edhe në Maqedoninë Veriore dhe Luginë të Preshevës rajone që vuajnë nga thatësia, ndërsa në Shqipëri reshjet do të jenë më të pakta sidomos në perëndim të vendit.
Stuhi të fuqishme priten në Greqi, reshje shumë të dendura në Bullgari dhe Rumani.
Në Kosovë intensiteti i lartë i reshje mund të shkaktojë vërshime të shpejta në disa zona, por këto reshje do të jenë shumë të mirëseardhura.