Kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në mitingun e mbajtur sot në Negotinë, ka drejtuar akuza të ashpra ndaj BDI-së, duke e cilësuar atë si një parti që përfaqëson krimin, pasurimin personal dhe dështimin politik.
Mickoski reagoi edhe ndaj etiketimit që, sipas tij, drejtuesit e BDI-së po i bëjnë në çdo paraqitje publike, duke e quajtur “albanofob”, njofton TS.
“Në çdo miting i dëgjoj drejtuesit e BDI-së, si më quajnë kështu e ashtu – përmendin shqiponja, lepuj, dhe në fund më quajnë albanofob. Ja ku po ju përgjigjem nga Negotina:
Nuk jam as albanofob, as ksenofob. Nuk kam asnjë problem me përkatësinë etnike të bashkëqytetarëve të mi në këtë atdhe të përbashkët që e quajmë Maqedoni.”, theksoi Mickoski.
Lideri i VMRO-sëe deklaroi se problemi i tij nuk janë shqiptarët, por politikanët e korruptuar që, sipas tij, e kanë përdorur pushtetin për t’u pasuruar në kurriz të popullit.
“Po, unë jam kriminalofob. I përçmoj ata politikanë që hynë në politikë si të varfër dhe dolën milionerë. Ata që blenë pallate, qendra tregtare, zyra luksoze dhe makina si Maybach me paratë e qytetarëve.
BDI është simbol i këtij degradimi. Nga i pari te i fundit, të gjithë do të përgjigjeni për krimin që keni bërë!” – u shpreh Mickoski.
Sipas tij, BDI nuk përfaqëson më shqiptarët, por vetëm një klientelë politike të pasuruar në mënyrë të paligjshme./TS