Netanyahu: “T’u japësh palestinezëve një shtet tani është si t’i jepje Al-Qaeda-s një shtet pas 11 Shtatorit”

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka reaguar ashpër ndaj thirrjeve të disa liderëve evropianë për zgjidhjen me dy shtete, duke e krahasuar situatën me ngjarjet e 11 Shtatorit 2001 në SHBA.
Në një intervistë për Euronews, Netanyahu tha:
“Imagjinoni sikur pas 11 Shtatorit njerëzit të thoshin: ‘Mirë, tani t’i japim Bin Ladenit dhe Al-Qaeda-s një shtet. Jo vetëm kaq – por ta vendosim një milje larg New York-ut’”.
Sipas tij, ky është absurdi që disa udhëheqës evropianë po propozojnë sot, pas sulmeve të 7 tetorit 2023, ku militantët e Hamasit kryen masakra kundër civilëve izraelitë.
“Ata po flasin për t’u dhënë palestinezëve një shtet vetëm disa milje larg Tel Avivit, pas një akti brutal terrori”, shtoi Netanyahu, duke e cilësuar një ide të rrezikshme për sigurinë e Izraelit.
Kryeministri izraelit ka qenë prej kohësh kundër krijimit të një shteti palestinez në formën aktuale të diskutuar nga bashkësia ndërkombëtare, duke argumentuar se një shtet i tillë do të bëhej “bazë për terrorizëm” dhe jo për paqe.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur disa kryeqytete evropiane po shtojnë presionin diplomatik ndaj Izraelit për t’i dhënë fund ofensivës në Gaza dhe për të rikthyer procesin e paqes mbi parimin e dy shteteve.