Një burrë me pasaportë të Bosnjës, i identifikuar si Vladimir Sologub (58) nga Bosnja dhe Hercegovina, është arrestuar në Shkup nën dyshimin se ka tentuar të përfitojë 300.000 euro nga Robert Hot, duke e kërcënuar me likuidim nëse nuk i jepte shumën e kërkuar, njofton Plusinfo.

Sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme, i dëmtuari Robert Hot kishte raportuar se një person i panjohur i kishte bërë kërcënime serioze për jetën, duke i kërkuar një shumë të madhe parash.
Policia reagoi menjëherë dhe, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Publike – Shkup, nisi një aksion të fshehtë për të parandaluar shantazhin.

Më 8 tetor 2025, në kuadër të veprimeve policore, nga i dëmtuari u morën përkohësisht 20.000 euro në kartëmonedha të ndryshme, të cilat u përpunuan për identifikim kriminalistik.
Pas konfirmimit të origjinalitetit, paratë iu kthyen Hotit për t’ia dorëzuar autorit, i cili duhej t’i merrte ditën tjetër në zyrën e tij.

Më 9 tetor, gjatë dorëzimit të parave, policia e Njësisë për Krim të Dhunshëm të SPB Shkup organizoi një pritë dhe arrestoi të dyshuarin Sologub.
Tek ai u gjetën 20.000 eurot e përpunuara dhe pasaporta e Republikës së Bosnjës dhe Hercegovinës.

Personi është ndaluar për procedura të mëtejshme, ndërsa policia dhe prokuroria po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com