Ali Ahmeti në Kumanovë: AKI ka mision kombëtar, këta tjerët kanë manipuluar dhe mashtruar votuesit e tyre (VIDEO)

Në një fjalim të fuqishëm në Kumanovë në tubimin e AKI-së, lideri, Ali Ahmeti, deklaroi se Aleanca Kombëtare për Integrim nuk është thjesht për zgjedhje komunale, por ka një mision kombëtar të madh, integrimin e plotë të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, njofton TS.
Ahmeti theksoi se Aleanca është forca progresive dhe vizionare në skenën politike shqiptare, ndryshe nga “derivatet” e dalë nga Bashkimi Demokratik për Integrim, të cilat sipas tij janë larguar nga misioni dhe kanë manipuluar votuesit me premtime të rreme për ndryshim.
“Ata kanë mbetur për t’u nderuar vetë, jo për të mbrojtur misionin. Më vjen keq për ta, por më shumë më vjen keq për votuesit e tyre që i kanë manipuluar. Sot votuesit e dinë të vërtetën,” – tha Ahmeti.
Ali Ahmeti theksoi se votuesit e VLEN-it e dinë të vertetën dhe se e dinë se ata janë mashtruar dhe manipuluar nga liderët e tyre.
“Sot ata votues e dinë të vërtetën, edhe mua më njohin, edhe juve ju njohin. Ata thonë, ne votuam për ndryshim, jo për poshtërim. Atyre u është bërë poshtërimi. Por kjo situatë është si brima, do vijë dielli i ngrohtë, dhe ai diell është populli. Populli do t’i shkrijë të gjitha ngricat,”, theksoi Ahmeti.