Zejdi: “Aleanca Kombëtare për Integrim është zëri i dinjitetit shqiptar në Maqedoninë e Veriut” (VIDEO)

Në tubim e AKI-së në Kumanovë, Skënder Rexhepi Zejdi, mbajti një fjalim të fuqishëm dhe të ngarkuar me mesazhe patriotike, ku theksoi se Aleanca nuk është thjesht një forcë politike për zgjedhjet lokale, por një mision kombëtar për ruajtjen dhe avancimin e dinjitetit shqiptar.
Zejdi kujtoi sfidat e shumta që shqiptarët janë përballuar në rajonin e Kumanovës dhe Likovës, duke përmendur eksperimente arsimore dhe diferencime të vazhdueshme gjatë periudhës së monizmit, njofton TS.
“Historikisht, Kumanova ka qenë pjesë e eksperimenteve arsimore gjatë kohës së monozmit, por ia ka dalë mbanë. Ka qenë pjesë e diferencimeve të vazhdueshme, por ia ka dalë mbanë, sepse në pyetje ka qenë dinjiteti i komunitetit. Andaj, këtë dinjitet, Kumanova dhe Likova e mbrojtën me plot krenari në vitin 2001, duke dëshmuar se nuk ka çmim për mbrojtjen e dinjitetit komunitar, nuk ka çmim për faktin se na e ka caktuar Zoti, ne jemi shqiptarë, dhe nuk ka asnjë çmim që mund ta përkulin këtë lidhje mes popullit, mes dinjitetit dhe mes vlerave”, theksoi Zejdi
Ai kritikoi qeverisjen aktuale, duke e quajtur anti-shqiptare dhe anti-evropiane, dhe akuzoi liderët e VLEN-it për dështimin në përfaqësimin e interesave të shqiptarëve. Sipas tij, kjo qeverisje ka tentuar ta nënçmojë shqiptarët, duke u imponuar atyre kushte dhe politika që minojnë krenarinë dhe dinjitetin e tyre.
Zejdi u shpreh se Aleanca Kombëtare për Integrim është shpresa dhe zëri i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke sjellë një mesazh të fuqishëm për të gjithë qytetarët shqiptarë.
“Ne jemi këtu për krenari, për dinjitet, jo për poste dhe përfitime personale”, tha Zejdi.
Ai bëri thirrje që të gjithë shqiptarët të bashkohen dhe të votojnë masivisht për Aleancën në zgjedhjet e ardhshme, për të siguruar që dinjiteti dhe e drejta e tyre të respektohen dhe mbrohen.
Në fund, Zejdi u zotua se Aleanca Kombëtare për Integrim do të vazhdojë të punojë pa u ndalur për të mbrojtur interesat e komunitetit shqiptar dhe për të kontribuar në integrimin e plotë të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian./TS