Bajram Rexhepi zbulon planin për Kodrën e Diellit: Teleferik, 10 pista të reja skijimi, garazhet me kate, borë artificiale (VIDEO)

Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim, Bajram Rexhepi sot gjatë një prezantim të programit të tij zgjedhor, ai vuri theksin tek zhvillimi i Kodrës së Diellit si një projekt strategjik për të ardhmen ekonomike të qytetit.
Sipas Rexhepit, plani është që Kodra e Diellit të kthehet në një qendër rajonale turistike, e cila do të funksionojë jo vetëm gjatë dimrit për sezonin e skijimit, por gjatë të gjithë vitit, duke sjellë zhvillim ekonomik dhe punësim të qëndrueshëm për qytetarët e Tetovës, njofton TS.
“Gjatë vitit të parë të mandatit tim planifikojmë të miratojmë planin detal urbanistik, ku do të përfshihet ndërtimi i së paku 20 hoteleve të reja, si dhe të gjithë infrastruktura bazë – rrjeti i ujësjellësit, kanalizimi, kolektori qendror. Investimet do të realizohen pjesërisht përmes partneritetit publiko-privat, me investitorë tashmë të interesuar për këtë zonë,” deklaroi Rexhepi.
Sipas Rexhepit, plani përfshin edhe ndërtimin e teleferikut, garazheve me kate, dy hyrjeve të reja për në Kodrën e Diellit, si dhe një pishine të madhe për prodhimin e borës artificiale. Shtigje të reja për skijim dhe organizim modern i infrastrukturës urbane do të krijojnë një përvojë të lehtë dhe cilësore për turistët vendas dhe të huaj.
“Turizmi malor po njeh zhvillim të jashtëzakonshëm në rajon. Kodra e Diellit ka potencial më të madh se të gjitha qendrat e tjera në vend dhe në rajon. Ky do të jetë projekti ynë kryesor për Tetovën – një shtyllë zhvillimi për gjithë ekonominë lokale,” shtoi kandidati i AKI-së, Rexhepi.
Bajram Rexhepi tha se përmes këtij projekti dhe të tjerëve të ngjashëm, Tetova mund të marrë më në fund vendin që i takon si një nga qytetet më me potencial në Maqedoninë e Veriut./TS