Valbon Limani: Unë s’bëj dallime, çdo votues është familje ime, Gostivari do të fitojë bashkë! (VIDEO)

Në një atmosferë mbresëlënëse në zemër të Gostivarit, kandidati për kryetar komune nga Aleanca Kombëtare për Integrim, Valbon Limani, mbajti një fjalim frymëzues para qytetarëve, duke premtuar shërbim të barabartë për të gjithë, pa dallime dhe me përkushtim të plotë për zhvillimin e qytetit.
“Gostivari, nga fshati më i largët deri në qendër të qytetit, do të jetë vendi ku do të punoj me çdo njeri, deri në përpjekjen e fundit,” tha Limani, duke theksuar se nuk do të ketë trajtim të veçantë për askënd për shkak të lidhjeve familjare apo politike. “Për mua, çdo njëri prej jush është familja ime, dhe në familje nuk bëhen dallime,” shtoi ai, mes duartrokitjeve të të pranishmëve, njofton TS.
Limani theksoi se fushata e tij nuk do të bazohet në fyerje apo urrejtje ndaj kundërshtarëve politikë, por në respekt dhe dinjitet, duke e cilësuar këtë si një betejë për qytetari e kulturë politike.
Ai falënderoi forumet e gruas dhe forumin rinor të partisë, duke i cilësuar si “shtylla e gjithë procesit zgjedhor”. Një mirënjohje të veçantë iu drejtua edhe shefave të shtabeve në nivel lokal dhe qendror, përfshirë Faton Ahmetin, deputetin Halil Snopçe, etj.
Ai shprehu mirënjohje të veçantë edhe për Ali Ahmetin dhe Arben Taravarin, duke thënë se ndihet i nderuar që është pjesë e një vizioni të përbashkët për të ardhmen e Gostivarit.
“Ju jeni frymëzimi dhe përgjegjësia ime,” tha Limani, duke u zotuar se do të shërbejë me ndershmëri dhe përkushtim nëse fiton besimin e qytetarëve më 19 tetor.
Në mbyllje, Limani bëri thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhje:
“Le të votojmë të gjithë, me Gostivarin në zemër. U bëftë më e mira për qytetin që e kam në zemër. Shihemi në orën e fitores!”/TS